Connect with us

Shkrime

Nuk mund të jesh tradhtar, nëse mbron sovranitetin shtetëror

Nga Skënder Kapiti

Në demokraci, kërcënimi më i madh sovranitetit kombëtar i vjen nga korrupsioni, gjë për të cilat janë shprehur edhe të gjithë presidentët dhe kryetarët e shteteve të vendeve demokratike dhe aleatët e shqiptarëve.

Dhe kjo është edhe arsyeja se përse edhe SHBA dhe BE ia imponuan politikës së Tiranës Vetting-un në drejtësi dhe ngritjen Strukturës së Posaçme Anti-korrupsion, SPAK-un.

Aktualisht, këtë detyrë kombëtare e shtetërore, atë të mbrojtjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe të luftës kundër korrupsionit po e kryen mjaft mirë qeveria aktuale, si qeverisja më e mirë, më e përgjegjshme dhe më shërbëtore e shembullore ndaj shtetit, qytetarëve dhe kombit.

Kjo gjë ka shqetësuar shumë sidomos Serbinë, Rusinë dhe aleatët e Serbisë, por edhe disa politikanë e shtetarë evropiane, por fatkeqësisht pothuajse edhe gjithë politikën e mediat në Shqipëri si dhe opozitën politike në Prishtinë.

Politika e vjetër shqiptare në tërësinë e saj nuk e ka dëshiruar fitoren e alternativës LVV-GUXO, sepse si Tirana, Prishtina por edhe politika shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi donin të ruanin monopolin dhe status quonë kundër alternativës së re dhe ndryshe, dhe prandaj edhe sot ata janë bashkë kundër qeverisë dhe shpresojnë se me alibira dhe akuza e sajesa mashtrohen se do gjejnë mbështetje te ndërkombëtarët për të ardhur në pushtet.

Në Shqipëri asnjë politikë dhe pothuajse asnjë media nuk është në mbështetje të politikës kosovare të sovranitetit dhe të luftës kundër korrupsionit. Politika dhe mediat në Shqipëri nuk janë me atë politikë dhe dhe as me opinionin e shëndoshë kosovar që mbështesin sovranitetin dhe luftën kundër korrupsionit, dhe që kërkojnë Vetting-un në drejtësi. Por lajmet në televizionet e Tiranës japin vetëm opinionet e politikës opozitare kosovare dhe mercenarëve gazetarë e opinionistë të Prishtinës që janë avokatë të politikës së vjetër dhe të korrupsionit të ish pushtetit.

Evropë, jo hipokrizi dhe pabesi por tregohu e sinqertë me Kosovën!

Në asnjë mënyrë nuk duhet që për interesa të Perëndimit të sakrifikohen nga sovraniteti i Kosovës, sepse kështu ka vepruar gjithmonë Evropa e cila për interesa të saj qysh në vitin 1913 kur ajo i copëtoi trojet shqiptare dhe ua dhuroi ato serbo-sllavëve dhe grekëve.

Europë nuk mund të jesh aleat besnik, strategjik dhe as i sinqertë i shqiptarëve kur ndryshoni kahje sa here ndërroni qeveritë, kryeministrat e presidentët dhe kur ndryshoni politikën në dëm të Kosovës sa herë që dëshiron interesi juaj.

Ju i luteni Serbisë që të largohet nga Rusia, por ajo as nuk largohet, por armatoset nga Rusia. Serbia as sanksione nuk i vendos Rusisë agresore pas sulmit të saj mbi Ukrainën, dhe po kështu si Rusia ashtu edhe Kina mbrojnë me fanatizëm gjithçka çfarë thotë e programon Beogradi.

Ju perëndimoret pse nuk e njohët Kosovën shtet dhe pavarësinë e saj sapo Kosova u çlirua nga Serbia me ndihmën e NATO-s?

A mos prisnit që të demokratizohej, të “evropianizohej” e të largohej Serbia nga Rusia?! Apo prisnit që të kalonin vite dhe akoma ju nuk e ndëshkuat dhe as nuk e keni ndëshkuar e as njohur akoma gjenocidin serb?

Pse nuk e anëtarësuat dhe nuk e anëtarësoni Kosovën në NATO kur NATO është aty që me 12 Qershor 1999, por madje ndërhytë për çarmatosjen e UCK-së dhe akoma as nuk e njihni Ushtrinë e Kosovës?

Pse edhe vizat ua dhatë qytetarëve të Kosovës me tepër e tepër vonesë, a thua se kosovarët dhe Kosova nuk ishte shtet në Evropë?

Pse edhe heqjen e dinarit serb nga qarkullimi ju po e pengoni kur Kosova si valutë ka dhe e pranon vetëm euron evropiane?

Pse nuk e integroni Kosovën në BE dhe pse nuk e anëtarësoni atë në NATO as tani kur Rusia pushtoi Krimenë dhe as kur tani ka pushtuar edhe shumë territore të tjera në Ukrainë.

Pse nuk e armatosni Kosovën kur Serbinë e armatosin Rusia dhe Kina? Armatoseni Kosovën se ajo e del vetë për zot vetes së saj. Por ju nuk e bëni as këtë, por përkundrazi e pengoni.

BE, si ka mundësi që ju i vendosët sanksione Kosovës dhe jo agresorit serb, dhe pse i vendosët sanksione Kosovës që po mbron sovranitetin e vet nga kërcënimi i Beogradit, ndërsa për Ukrainën jepni miliarda e miliarda dollarë e euro armë e ndihma ushtarake për të mbrojtur sovranitetin e saj dhe organizoni edhe Samite e takime për të?

Jo vetëm kaq por ju edhe ndikoni e i impononi edhe Tiranës politike që ajo të jetë me ju kundër sovranitetit të Kosovës, dhe arriti puna deri aty sa që Shqipëria i vendosi edhe sanksione Kosovës pse Kosova mbron sovranitetin shtetëror të saj, pse mbron territorin dhe pse zbaton Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nëse Serbia realizon synimet e saj për formimin e botës serbe, dhe nëse ajo merr nga Kosova atë se çfarë ajo dëshiron, atëherë pse u bë lufta në Kosovë?

Kosova u çlirua dhe sot është shtet sovran dhe kurrë Serbia nuk do të mund të rikthehet më aty. Kurrë nuk do të mund të kthehet më Serbia në Kosovë, dhe kot shohin ëndrra me sy hapur minoriteti ardhacak serb ne Kosovë, nostalgjikët e titizmit, disa islamofobë dhe ata që kanë pasur dikur kumari e krushqi me serbët. Kurrë Kosova nuk do të sakrifikojë nga sovraniteti i saj pse duan Serbia, Rusia apo edhe interesat e politikës evropiane.

Të mbrosh shtetin dhe sovranitetin kombëtar të Kosovës është patriotizëm, është e drejtë dhe detyrë kombëtare e shtetërore dhe nuk është as antieuropianizëm dhe as antiamerikanizëm.

 

 

 

Shkrime

Nesër do jetë ditë e vështirë, vuloset e ardhmja e Kosovës

Analisti dhe profesori amerikan i universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, thotë se pyetja e pashmangshme sot, sa herë që përmendet Ballkani, është se çfarë do të bëhet me Asociacionin?

Beogradi dëshiron që ai të formohet brenda Kosovës. Amerikanët dhe evropianët po insistojnë gjithashtu. Por, autoritetet e Kosovës po rezistojnë për të kundërtën. Çfarë duhet bërë?

Në një tekst autorial analisti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, tha se “Prishtina u pajtua ta formonte Asociacionin në vitin 2013, në atë që u quajt “Marrëveshja e Parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.

Sipas tij, kjo marrëveshje e panënshkruar parashikonte që Asociacioni të kishte “përmbledhje të plotë të fushave si ekonomia, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe ai rural”. Gjithashtu, thuhej se autoritetet qendrore mund t’i delegonin komunave me shumice serbe, edhe kompetenca shtesë.

“Marrëveshja e vitit 2013 parashikon që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën drejt BE-së. Deri më tani, as Beogradi e as Prishtina nuk e kanë zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes” – ka shkruar Serwer.

Profesori amerikan i universitetit John Hopkins, tha gjtihashtu se Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës, teksa ishte në opozitë, e kundërshtoi formimin e Asociacionit. Edhe tani në pushtet, ai po vazhdon t’i rezistojë zbatimit, pavaresishte se presidenti serb Aleksander Vucici, vazhdon të insistojë në formimin e tij”.

Por, sipas Serwer, krijimi i një “bote serbe” në Kosovë, ka ngritur dyshime.

“Popullata në Kosovë shqetësohet se Serbia me anë të Asociacionit po përpiqet të krijojë një zonë të veçantë, autonome, jashtë autoritetit të Kosovës. Kjo pasi një i ngjashëm ka çuar edhe në luftë në Bosnjë gjatë viteve ‘90.

Ndërkohë, Beogradi asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të bllokuar përparimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo përfshin përpjekjet e fundit të tij për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Serwer duke kujtuar se “serbët janë tërhequr edhe nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore. Shteti serb gjithashtu ka bojkotuar zgjedhjet atje, ka rrëmbyer tre policë të Kosovës dhe ka shkaktuar trazira nga të cilat mbetën të plagosur paqeruajtësit e NATO-s, si dhe organizoi një sulm terrorist shtatorin e kaluar. Secila nga këto përpjekje llogaritet sfidë ndaj kornizës ligjore për të cilën Beogradi kishte rënë dakord se do të zbatohej në Kosovë”.

Për arsye që ende nuk dihen, Serwer theksoi se amerikanët dhe evropianët i premtuan Beogradit zbatimin e Asociacionit pa asnjë kusht. “Por, ata premtuan se ai nuk do të bëhet një nivel i ri qeverisjeje. Megjithatë, ata nuk kanë qenë të gatshëm të angazhohen për këtë në një marrëveshje zyrtare qeveritare”……………..

Serwer tha gjithashtu se evropianët kanë sjellë pasoja për dështimin në themelimin e Asociacionit dhe kanë vonuar shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai këtë e quan “keqpërdorim diplomatik”, duke theksuar se nuk ka kuptim që pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të kushtëzohet me zbatimin e Asociacionit. “Përveç presionit ndaj Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i kujtojnë Serbisë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së vitit 2013. Ndër tjera, serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, Beogradi duhet ta përfundojë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët e saj në Kosovë për gjykim si dëshmi që e pranon kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar Daniel Serwer.

 

Continue Reading

Shkrime

Shqipëria dhe Greqia nuk flasin hapur për thelbin e krizës mes tyre

Nga Mero Baze

E vërteta është se raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në krizë, por të dy palët nuk i referohen thelbit të kësaj krize, por shkaqeve që gjejnë rrugës. Shqipëria bën rolin e viktimës duke u nisur nga retorika e Greqisë për rastin Beleri, por në fakt ajo që Shqipëria po kundërshton, është ndjenja e paternalizmit që Greqia ka ndaj Shqipërisë historikisht.

Nga ana tjetër Greqia që bën sikur ka në dorë integrimin evropian të Shqipërisë, po ashtu është realisht e shqetësuar nga indiferenca me të cilën Shqipëria po i merr kërcënimet e saj, se sa nga fati juridik apo politik i Belerit.

Fjalimi i Edi Ramës në Athinë ishte një gjarpërim mes fjalësh për të thënë se nuk jemi më ata që kemi qenë dikur në vitet 2000, kur pritja e ambasadës greke, kishte më shumë të ftuar se pritja e presidentit të Republikës dhe kur për një drejtor drejtorie vendosej në Athinë. Nuk ishte i sinqertë as kur i referohet krizës formale shkaktuar nga arrestimi i Belerit, kur bën sikur mbron pavarësinë e drejtësisë shqiptare, dhe bën si viktimë e mendësisë nacionaliste greke.

E vërteta është se thellë thellë, Edi Rama, mezi pret të dëgjojë çdo gjë kundër SPAK prej Greqisë, pasi kështu forcon fabulën e tij për distancën që ka me drejtësinë e re, dhe po bën gjithçka që Greqia të vazhdojë ta mbajë ndezur këtë retorikë e cila e nxjerrë atë, më të mirë se sa është, në Bruksel.

Ajo për të cilën ai bën si viktimë e sulmit të politikës greke ndaj tij, është në fakt nderi më i madh që po i bën Greqia, ndërsa ajo që ai nuk e thotë hapur dhe grekët nuk e pranojnë dot, është se ai thjesht nuk e konsideron rrezikun grek për anëtarësim në BE. Madje e lut që Greqia të jetë në anën tjetër të barrikadës, pasi kështu ka dhe një arsye më shumë patriotike për një fjalim të ri.

Edhe më i pasinqertë është kryeministri Micotaqis në dy raste. E para në deklaratat e tij të sotme, ai padashje e nxjerr pikërisht ndjenjën e paternalizmit ndaj Shqipërisë reflektuar tek ideja që rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Greqia, por këtë e maskon me çështjen Beleri. Çështja Beleri në aspektin e rrugës evropiane është në favor të Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Kjo tanimë është e provuar me qëndrime zyrtare të Bashkimit Evropian dhe SHBA. Ndjenja e paternalizmit grek ndaj Shqipërisë po. Ajo është reale dhe dominon mendësinë e politikës greke. Dhe Greqia ngjan nervoze se në Shqipëri është bërë e parëndësishme.

Së dyti Mictoaqis gënjen kur thotë se nuk kishim pse e pengonim Edi Ramën të bënte vizitë në Athinë. Negociatat e dy palëve mund të shërbejnë për një serial Netflixi, për qindra probleme që nxori qeveria qendrore duke bërë presion mbi çdo pronar salle në Athinë që të mos e pranojë takimin me kryeministrin shqiptar dhe mbi çdo inxhinier grek të mos firmoste garancinë për sallën, dhe i hapi rrugë kur e pa që çështja u bë e rëndësishme dhe mund të dominonte fushatën e tyre elektorale.

E vërteta e thjeshtë është se rruga e Shqipërisë për në Evropë, mund të kalojë edhe nga Athina, nëse Athina është në një gjatësi vale me Evropën, por në rastin e Belerit që i referohet Greqia, nga Athina mund të kalohet për ndonjë buzuk, por jo për në Bruksel.

Kurse sa i takon shqetësimit që ka krijuar SPAK në politikën shqiptare, është ku e ku më larg se ai që ka krijuar në politikën greke. Dhe në këtë rast Micotaqis ka plot aleatë të heshtur në Shqipëri, përfshi dhe ata që thonë jemi me SPAK. Ndaj lodhet kot të na shpjegojë që SPAK ka gabuar. Po qe se shpëton politikën shqiptare nga SPAK-u, në emër të Evropës, janë gati ta marrin në supe të gjithë.

Atëherë mund të ribëhet i rëndësishëm për politikën shqiptare. Duke kërcënuar për integrimin evropian, nuk tremb njeri, pasi integrimi evropian, nuk është ndonjë rrezik më i madh se SPAK për politikën shqiptare. Eshtë vonë shumë dhe i paqartë se si mund ta tremb politikën shqiptare.

Continue Reading

Shkrime

Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Nga Enver Bytyçi

Vendet e QIUNT-it, d.m.th. ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para pak ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj.

E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd.

Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”!

Ndërkaq u kërkohet autoriteteve të Kosovës të pranojnë diçka që nuk ekziston në Kosovë. Të pranojnë që poet serbë të vijnë nga Beogradi në Kosovë për t’u thënë serbëve të Kosovës “Mos u integroni në shtetin dhe institucionet e vendit, sepse Kosova do të rikthehet nën Serbi”! Ambasada e Francës dhe të katër vendeve të QUINT-it i njohin dhe i dinë këto fakte. Pse atëherë bëjnë presion mbi qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të saj?!

Shtetet e QUINT-it janë një forum konsultativ në funksion të shtetësisë së Kosovës. Ato për një periudhë kohe kishin nën vëzhgim, sipas Planit Ahtisaari, pavarësinë e Kosovës.

Dhe është e natyrshme që ky vëzhgim të vijojë, edhe pse “periudha e pavarësisë së vëzhguar” ka përfunduar para shumë vitesh. Kur u krijuar ky forum, ato premtuan ta ndihmojnë Kosovën për forcimin e shtetësisë dhe institucioneve. E në fakt po ndihmojnë në çdo rast Serbinë të jetë e pranishme në Kosovë,  madje nuk harrojnë thonë se këto vërejtje i bëjnë “për të mirën e Kosovës”! Së paku nuk duhet që t’i marrin shqiptarët për njerëz injorantë e kaq naivë. Nuk duhet gjithashtu t’u besojnë më serbëve, sipas të cilëve “shqiptarët janë njerëz me bisht”!

Nga ana tjetër, sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”.

Edhe këtu ka diçka përtej këtyre spekulimeve. Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët.

Dialogu Kosovë-Serbi, ashtu si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, u imponuan nga administrata Obama dhe ishte “për çështje teknike”. Kështu është thënë në vitin 2011, kur u imponua me kushtet e 9 pikave të Ban Ki Mun. Megjithatë nën kujdesin e këtyre pesë vendeve të QUINT-it ai shndërrua në dialog politik dhe tani jemi në pikën kur bëhen përpjekje për të revokuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Continue Reading

Shkrime

Pritini kokën Albin Kurtit, por…

Nga Andi Bushati

Kori i rakorduar i kundërshtarëve të Albin Kurtit mes Tiranës dhe Prishtinës është riaktivizuar sërish, duke marrë këtë herë si pretekst një episod të ri të një refreni të vjetër: atë se kokfortësia e kryeministrit të Kosovës po thellon çarjen me perëndimin. Shkak për valën e kësaj here është bërë refuzimi që i shteteve kryesore të BE, për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti po akuzohet se i tha një “JO” të prerë futjes së një kushti të ri, atij të ndërlidhjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kriteret e pranimit në KiE. Ai e etiketoi si “absurd” këtë pretendim dhe nuk pranoi të bëjë pazar për të marrë antarësimin në një organizëm të rëndësishëm të kontinentit, në këmbim të bosnjëzimit të vendit të vet.

Natyrisht, pavarësisht nga arsyet apo justifikimet, “JO”-ja e tanishme nuk është një lajm i mirë. Mospërfundimi i antarësimit të plotë pasi pjesa dërrmuese e asamblesë parlamentare ka votuar me shumicë dërrmuese pro Kosovës, i jep gjithësecilit të drejtën të flasë për një dështim. Por, përtej këtij konkluzioni sipërfaqësor, konteksti dhe rrethanat e këtij refuzimi duhen analizuar.

Në radhë të parë ato krijojnë një kontradiktë sistemore mes deputetëve të asamblesë parlamentarëve që votojnë dhe vendimmarrjes të qeverive që shërbeu si veto. Ajo e shndërron në absurd krejt procesin e antarësimit në KiE. Së dyti, ajo nxjerr në pah edhe një kontradiktë tjetër. Dihet se Këshilli i Evropës ka në fokus të tij të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij.

Si i tillë, anëtarësimi i Kosovës në të do të nënkuptonte automatikisht më shumë garanci edhe për serbët lokalë. Prezenca në KiE dhe futja  automatikisht në juridiksionin e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut do i mbronte ata më shumë edhe sesa vetë asocacioni i i kërkuar me këmbëngulje nga Beogradi.

Por duket se vendet kryesore të perëndimit janë të gatshme të testojnë edhe dobësinë e institucioneve të tyre edhe të injorojnë interesat konkrete të qytetarëve serbë të Kosovës, vetëm për të arritur një qëllim: të vazhdojnë përpjekjen e kotë për të përkëdhelur Aleksandar Vuçiçin, që i shntazhon sistematikisht pqrmes aleatëve të tij Putin dhe Xi Jimping.

Duhet të jemi realistë, kushti për të penguar Kosovën si anëtare të 47 të Këshillit të Evropës ka qenë një lobim i hapur i Beogradit. Për interesa gjeopolitike fuqitë evropiane e pranuan atë. Ashtu sikurse pranauan marëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit, pavarësisht se Vuçiçi e kishte krahun e sëmurë për ta nënshkruar, ndërsa Prishtina qe e gatshme ta bënte.

Këto standarte të dyfishta u panë edhe në kërkesën gojore, ndryshe nga sa parashihnin draftet e planit franko gjerman, për të filluar së pari punën me asociacionin. Ato u theksuan më tepër me fajësimin e Kosovës për krizën në katër komunat veriore, ndonëse dukej qartë se Beogradi ishte ideatori i kaosit të krijuar. Ato kulmuan me vendosjen e sanksioneve ndaj Prishtinës dhe me ledhatimin e presidentit serb, edhe pasi ky dërgoi paramilitarët e vet, të kryesuar nga Radioçiç të kryenin sulmin terrorist në Banjskë.

Pra e gjithë kjo kronologji të çon në një konkluzion të stërthënë, të pranuar në mënyrë të zëshme edhe nga shumë politikanë dhe analistë në Evropë e SHBA, atë të kristalizimit të një politike prendimore që do të sakrifikojë interesat e Kosovës me shpresën për të mos lënë të dalë nga vatha Vuçiçin.

Ky është edhe thelbi i konfiktit të fundit me veton për antarësimin në KiE, që Franca dhe Gjermania e kushtëzuan, papritmas, me shpënien e draftit për asocacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Pyetja që shtrohet përpara të gjithë armiqve, kritikëve të Albinit apo servilëve të shpallur të fuqive të mëdha është: çfarë duhet të bëjë një lider kosovar kur atij i kërkohet, nga aleatët e vet, të nënshkruajë koncesione në favor të Serbisë? Ti bindet qorrazi? Apo ti rezistojë me koston jo të lehtë të sanksioneve personale dhe vonesave për vendin?

Pa zgjidhur këtë dilemë nuk mund të kesh një pozicion të ndershëm dhe të drejtë në raport me veprimet dhe aktet e Kurtit. Ndaj tij mund të jesh i ashpër, t’i kërkosh politikisht madje dhe kokën, ti vësh në dukje shkarjet në koherencë, taktizimet për të fituar kohë, piruetat për të shmangur trysninë e tmershme ndërkombëtare, por nuk mund ti kërkosh asesi shitjen e mandatit për të cilin është votuar.

Se ç’ndodh në raste të tilla e kemi parë shpesh herë, madje e provoi së fundi edhe fati i LSDM në zgjedhjet në Maqedoni. Forca politike që sillen si lakej të ndërkombëtarëve, në të kundërt asaj që do dhe kërkon populli i tyre, rrezikojnë të zhduken nga harta elektorale. Përpos kësaj, ata i hapin rrugën partive dhe rrymave gjithnjë e më nancionaliste dhe anti perendimore.

Mund të duket tejet paradoksale, por ajo që kritikohet si rezistenca kokfortë e Albin Kurtit, po e mbron Kosovën nga ngjizja e sentimenteve kundër vendeve aletate për shqiptarët. Duke i thënë atyre jo për polotësimin e kërkesave të Serbisë qeveria e Vetëvendosjes po ruan vazhdimsinë e besimit tek SHBA dhe BE.

Pikërisht kjo vlen edhe për mospranimin e veçimit së Asociacionit nga paketa e marrveshjes që pretendohej se do të prodhonte njohjen “de facto” të Kosovës. E këtu duhet qëndruar, qoftë edhe me çmimin e padrejtë të vonesës së antarësimit në KiE.

Continue Reading

Shkrime

Gabimi i rëndë i Perëndimit me Albin Kurtin

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit.

Duke kritikuar atë që e sheh si diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe thotë se Asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Serwer u shpreh se “Kosova duhet të jetë gati për një përshkallëzim të ri të situatës me Serbinë, dhe i bëri thirrje SHBA që përveç raketave të dërgojë në veri edhe dronë”.

Duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serwer ka përmendur edhe Asociacionin si kusht që i është vënë Kosovës nga Franca dhe Gjermania për futjen në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke thënë se kjo është e padrejtë.

“Nuk është e drejtë. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim, është një gabim i rëndë dhe diplomaci e keqe”- ka thënë analisti amerikan duke potencuar gjithashtu se po minohet definitivisht edhe besueshmëria tek bashkësia ndërkombëtare.

“Njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera po kuptojnë se bashkësia

ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në veri.

Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e Manastirit të Deçanit”- theksoi Serwer duke shtuar se i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti që nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave.

“Kurti ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se Asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por, të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar” – theksoi Serwer dhe sipas tij, Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës………

Ai ka folur edhe lidhur me armatimin e Serbisë rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Kosovës, duke thënë se “ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe mendoj se është e rëndësishme që Kosova të përgatitet për këtë”.

“Një nga gjërat e mira që kanë bërë amerikanët është autorizimi i shitjes së raketave antitank Javelin në Kosovë. Do të doja të shihja që edhe disa dronë të shkojnë në Kosovë. Unë mendoj se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë nevojë për pajisjet, trajnimin, organizimin e nevojshëm për të penguar çdo përpjekje të Serbisë për të pushtuar territorin, veçanërisht në veri”, tha analisti amerikan Daniel Serwer.

 

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING