Connect with us

Aktualitet

Nuk përmbushën pritshmëritë, pezullohen të gjithë shefat e Krimit Ekonomik

“Ngrijnë” strukturat vendore të Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka pezulluar ditën e sotme të gjithë shefat e Krimit Ekonomik, deri në deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit. Vendimi është marrë për shkak të mungesës së efikasitetit të këtyre strukturave dhe mospërmbushjen e pritshmërive, në luftën kundër evazionit fiskal, paligjshmërive në fushën ekonomike, apo dhe goditjen e korrupsionit.

Gjatë takimit të zhvilluar nga Ministri i Brendshëm me Rrumbullakun, Bledi Çuçi dha porosi të prera për çdo drejtues vendor të Policisë, për një luftë të pa kompromis kundër kultivimit të kanabisit. Duke iu bërë me dije se strukturave policore do t’u vijë në ndihmë përdorimi i teknologjisë së lartë dhe pamjet e kapura nga satelitët shqiptarë në hapësirë, nuk duhet të ketë vend për “gabime”.

Sipas Çuçit, për çdo parcelë që do të konstatohet nga agjenci të tjera, do të ketë përgjegjësi individuale për drejtuesit vendorë. Por kanë kërkuar më shumë vëmendje edhe në “metodën e re”, atë të kontrolleve në ambiente të mbyllura, pra të ashtuquajturat “shtëpitë e barit”.

Kur edhe shumë pak kohë na ndan nga zgjedhjet lokale të 14 majit, ministri i Brendshëm kërkoi angazhimin maksimal të strukturave inteligjente dhe ato të Rendit të Policisë, për mbarëvajtjen e fushatës elektorale dhe gjithë procesit zgjedhor të 14 majit, duke parandaluar dhe goditur me forcën e ligjit, çdo tentativë për shit-blerje vote. Ai ka kërkuar goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që policia t’i shmanget çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të lidhur me ta. Ministri theksoi se vlerësimi i performancës për çdo drejtues vendor apo qendor në Policinë e Shtetit, është dhe do të mbetet kriteri kyç, duke e matur punën e çdokujt me rezultatet në terren.

Advertisement