Connect with us

Shkrime

Nuk po funksionon/ SHBA e shqetësuar me dialogun

Nuk po funksionon/ SHBA e shqetësuar me dialogun

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në rajon, Dushan Janjiç ka folur për raportimin ditë më parë në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku Derek Chollet dhe Gabriel Escobar iu përgjigjen pyetjeve të senatorëve rreth situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Në raportimin e dy zyrtarëve të lartë të DASH, temë diskutimi ka qenë edhe çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku Escobar ka folur për atë se si SHBA e sheh Asociacionin si dhe ka bërë një ndarje me “katër komuna” dhe “të tjera që dëshirojnë të bashkohen”

Por a nënkupton kjo deklaratë se po planifikohet një Asociacion vetëm për Veriun?

Dushan Janjiç thotë se ajo çfarë ka deklaruar Gabriel Escobar është interpretimi i drejt i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe është shumë afër interpretimit të planit të Ahtisarit për Asociacionin ku përmenden 4 komuna si nismëtare dhe të tjerat që dëshirojnë të bashkohen.

Janjiç gjithashtu u shpreh se ajo çfarë ka më shumë rëndësi të interpretohet nga deklarimet e Chollet dhe Escobar, është konteksti. Sipas tij, të dy kanë treguar se Amerika është ngopur nga lojërat e Prishtinës dhe Beogradit dhe se tashmë dëshiron të shoh progres para fundit të verës.

Analisti serb ka folur edhe për modelin kroat, në të cilin kryeministri Albin Kurti thotë se është inspiruar për të përgatitur një propozim për Asociacionin. Sipas Janjic interpretimi që është bërë popullor në Kosovë për këtë model nuk është i saktë. Ai thotë se modeli kroat përfshinë edhe autonominë rajonale për rajonin e Sllavonisë Lindore e rregulluar përmes Marrëveshjes së Erdutit.

Ai theksoi edhe se po të ishte në pozitën e ekspertit kosovar apo qytetarit të Kosovës do të ishte i shqetësuar për atë që e quan “lojë” dhe “propagandë” me modelet e reja. Sipas Janjiq, mesazhi politik i SHBA-së dhe Escobarit është që të “ndalohen lojërat me modelet e reja” për Asociacionin.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike përmendi edhe disa arsye, pse sipas tij modeli kroat nuk mund të implementohet plotësisht në rastin e Kosovës. Sipas Janjiç, ndryshe nga Kroacia, Kosova është shkëputur nga Serbia. Ai thotë se kjo ndarje është legjitime dhe ligjore, por shton se kur bie fjala për shkëputje, atëherë statusi i serbëve të Kosovës duhet parë si pjesë e statusit të Kosovës.

Sipas Janjiq, s’mund të kërkosh njohjen e plotë si shtet i pavarur dhe demokratik në rast se nuk e gjen një model të përshtatshëm për komunitetin serb dhe se modeli kroat nuk mund të kopjohet në rastin e Kosovës, meqë thotë se parakusht për këtë duhet një marrëveshje paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç ishte arritur në rastin e Kroacisë.

Janjiq deklaroi se SHBA-ja është e shqetësuar për situatën e sigurisë në veri dhe me vakumin institucional atje, meqë nuk dihet se çfarë veprime do të ndërmarrë Aleksander Vuçiç. Ai permendi edhe mundësinë e instalimit të strukturave paralele në veri, edhe pse specifikoi se vetë personalisht është kundër diçkaje të tillë.

Per Janjic, pas 1 qershorit Lista Srbska mund te organizoje protesta masive dhe ngritje barrikadash.

“Nga kjo pikë e kuptoj emisarin Escobar. Amerikanët janë tepër të shqetësuar që procesi i normalizimit është afër fundit dhe nuk po funksionon” – u shpreh Janjiç

Advertisement