Connect with us

Politike

Nuk qeveriset si në ruletën e Lulit,të Likes,të Monit,e të Xhikes

 

Konferenca me mediat me fokus mbi masat për përballimin e epidemisë, situata shëndetësore në vend dhe investimet në shëndetësi.

 

Jemi sot së bashku në konferencën e përjavshme që lidhet me ekonominë. Sot kemi për të folur mbi shëndetësinë, që nga situata shëndetësore në vend tek investimet në shëndetësi dhe tek çfarë është bërë dhe çfarë do vazhdojmë të bëjmë për shëndetësinë.

 

Së pari, më lejoni të ndaj me publikun ndjenjën e neverisë dhe përbuzjes për shefat e të ashtuquajturës opozitë, që janë çakërdisur deri në pikën ku shpresat e tyre të lodhura për pushtet i kanë mbështetur të gjitha tek ëndrra e një katastrofe shëndetësore. Faktikisht, janë bërë zëdhënës të panikut, zëdhënës të çorodisë psikologjike dhe zëdhënës të një pesimizmi krejtësisht të fabrikuar për të krijuar sa më shumë dëshpërim në popull përmes gënjeshtrash, sajesash, abuzimesh të një propagande të shfrenuar që dëmton seriozisht moralin e mjekëve, infermierëve, të ekspertëve që me shumë profesionalizëm, shumë përkushtim udhëheqin në këtë front, që është një front ku Shqipëria ka vetëm një pjesë aq të vogël, saç është vetë, në një vijë që përfshin të gjitha vendet e planetit.

 

Është e pajustifikueshme me asgjë që sot t’u thuhet në mënyrë të përditshme njerëzve se spitalet janë në kolaps, çka nuk është e vërtetë. Edhe mund të ishin, siç ka ndodhur në vende shumë më të zhvilluara me një shëndetësi shumë më të zhvilluar, por nuk janë;

 

Që njerëzit dergjen dyshemeve, çka nuk është e vërtetë. Edhe mund të ishte, siç ka ndodhur në vende shumë më të zhvilluara, me spitale shumë më të famshme botërisht, por nuk është e vërtetë;

 

Që mjekimi bëhet në autoambulanca, falë edhe ndihmës të ndonjë medie që në mënyrë të papërgjegjshme ka raportuar diçka të tillë, që edhe mund të ishte, por nuk është e vërtetë;

 

Që qeveria po vjedh, prandaj numri i infektimeve po rritet, e prandaj numri i vdekjeve po rritet, çka është absurde, sepse, për fat të keq, por në këtë rast edhe për fat të mirë, fakti është që numrat po rriten eksponencialisht kudo. Po vjedh kancelarja dhe qeveria gjermane? Po vjedh kryeministri dhe qeveria britanike? Po vjedh presidenti dhe qeveria franceze?

 

Është një absurd që, fatkeqësisht, nuk vjen në këtë rast nga padituria, por vjen nga qëllimi ogurzi për të nxitur panik, për të mbjellë çdo ditë dëshpërim dhe për të armiqësuar njerëzit me qeverinë. Shumë e dukshme, shumë vulgare dhe shumë e dënueshme si strategji politike për pushtet. Për një pushtet që nuk kanë shans ta rimarrin, pasi e kishin dhe e shpërdoruan në atë farë feje, që, – lavdi Zotit, – ky virus nuk erdhi kur qeverisnin ata, nuk na gjeti me shëndetësinë që na lanë ata; Nuk i gjeti mjekët dhe infermierët pa përparëse për punën e përditshme e lëre më pastaj, me të gjithë kostumet mbrojtëse; Nuk i gjeti pavijonet pa çarçafë e pa batanije e lëre më me të gjitha aparaturat që përdoren në të gjithë botën sot; Nuk i gjeti të sëmurët pa aspirina në spital e lëre më me të gjitha protokollet shëndetësore që përdor sot gjithë bota, sepse atëherë do të kishim parë se çdo të thotë tragjedi kombëtare dhe katastrofë kombëtare.

 

Si mund të gënjehet në këtë farë feje!

 

Si mund të organizohet çdo ditë njësulm i tillë, pa pushim, në emër të opozitarizmit, pa fakte, pa shifra, duke nxjerrë lloj-lloj sharlatanësh si medemek ekspertë, mjekë, infermierë, që flasin gjëra pa lidhje?!

 

Si mund të ngrihet këtu teza që njerëzit vetëvriten për shkak të kushteve në spitale?! E dini pse në këtë kurth bini dhe ju?

Për një arsye shumë të thjeshtë. Se nuk merrni përsipër të bëni një kërkim shumë të thjeshtë, për të parë që, në fakt, shifrat botërisht tregojnë atë që është paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertët, botërisht, që një nga pasojat e futjes së këtij armiku të padukshëm në trupin e njeriut është edhe nxitja për të vrarë veten, e cila është e materializuar, fatkeqësisht, në shifra.

 

Në Itali, nga marsi në gusht janë vetëvrarë 71persona dhe janë regjistruar një numër i konsiderueshëm tentativash për vetëvrasje. Në Francë është rritur numri i vetëvrasjeve që lidhen me COVID. Ka qenë edhe nëpër lajme në të gjithë botën, vetëvrasja e mjekut të famshëm të klubit të futbollit të Reims-it, kur u diagnostikua me COVID. Katër persona në Gjermani, në Arabinë Saudite, në Britaninë e Madhe kanë kryer vetëvrasje si pasojë e ankthit dhe frikës së përjetuar nga infektimi me COVID.

 

Në Mbretërinë e Bashkuar ka pasur vetëvrasje të personelit mjekësor. Një infermiere në moshë të re vrau veten në spital, në Londër, gjatë turnit të saj të punës.

 

Një 37 vjeçar, në spital në Mbretërinë e Bashkuar tentoi vetëvrasjen në ditën e 5 të përjetimit të simptomave të COVID.

 

Tre mjekë rusë janë vetëvrarë, duke u hedhur nga dritaret e spitalit, pasi kanë rezultuar pozitivë me COVID19 dhe kanë përjetuar stresin emocional të frikës që paralajmërohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertët e shëndetit në këtë situatë.

 

Nga 21 shtatori deri në 20 tetor, katër pacientë janë vetëvrarë në spitalet e kryeqytetit të Ukrainës.  Dy rastet e para, burra të moshës 63 dhe 42 vjeç janë hedhur nga dritarja e spitalit klinik të Kievit numër 4. Është raportuar se të dy ishin me koronavirus dhe kanë përjetuar atë stres të tejskajshëm që i ka shtyrë në këtë veprim tragjik. Në 19 tetor, një grua 60-vjeçare është hedhur nga dritarja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive të spitalit “Aleksandër” të kryeqytetit të Ukrainës, ku po trajtohej me koronavirus dhe ditën tjetër, në 20 tetor, në një tjetër spital të Kievit, një burrë i infektuar me koronavirus ka kryer vetëvrasje, duke u hedhur nga dritarja.

 

Qeveria e Shqipërisë i nxit këto vetëvrasje nëpër botë?

Apo këto vetëvrasje nxiten nga kushtet e ashtuquajtura të këqija në spitalet e Shqipëris?

 

Dëgjova edhe një kolegun tuaj dje, për të qarë e për të qeshur me të madhe. Njëri që vërtitet si ekspert i madh i shëndetit, që thoshte se mendohet që vetëvrasjet nxiten nga zhurma e aparaturave të oksigjenit që janë të vjetra.

 

E kuptoni çfarë përgjegjësie është sot, që të bësh politikë, që të besh gazetari, që të japesh informacion, kur bëhet fjalë për një sëmundje, e cila lidhet edhe me komponentin e ankthit!

 

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në linjën e emergjencave federale janë regjistruar në muajin prill mbi 1000% thirrje në urgjenca nga familjarë të personave me çregullime emocionale për shkak të infektimit me COVID-19. Është vetëvrarë personel shëndetësor në New York me hedhje nga dritarja.

 

Në një studim, qysh në muajin maj, i njohur e botërisht i shpërndarë, është paraparë rritja e numrit të vetëvrasjeve si pasojë e COVID-19 me 32% globalisht.

 

Në Poloni ka pasur vetëvrasje të personelit mjekësor, po ashtu.

 

Edhe në Greqi, që është shumë afër, ka pasur vetëvrasje në një qender të strehimit social për shkak të infektimit me COVID.

 

Ju solla këtë lisë që nuk është aspak e vështirë ta gjeni. Mund të gjeni edhe shumë të tjera, pa dashur t’ju çoj në Japoni, ku nuk besoj se mund të pretendohet se aparaturat janë të vjetra dhe bëjnë zhurmë kur japin oksigjen. Pa dashur t’ju çoj në Afrikë, pa dashur t’ju çoj në Australi, por thjeshtë në Europë, në SHBA dhe duke ju sjellë në vëmendje vende me një cilësi të shërbimit dhe shkencës që vetëm gazetare që fliste pë aparaturat mund ta vinte në diskutim.

 

Është edhe kjo tjetra, që një arsye tjetër e vetëvrasjeve mendohet që është nga stresi që krijohet se vdes shoku i dhomës, me te cilin këta miqësohen me njëri-tjetrin dhe kur sheh shokun e dhomës që ikën, ikën dhe ai nga dritarja. E kuptoni se çfarë muhabetesh janë këto, në këto kushte kur duhet përgjegjshmëri, kur duhet menduar dy herë para se të japësh lajmin!

 

Nuk kërkon njeri të mendohet dy here kur flitet për të sharë e për të akuzuar palidhje, por në këto kushte, a e mendoni sa njerëz janë në shtëpi me ankthin e kësaj sëmundjeje, sot?

A mendoni sa njerëz e kanë sot këtë sëmundje në trup dhe nuk guxojnë të hapin televizorët, sepse fillon me Lulin, vazhdon me Ilirin, pështjellohet me Monikën, kornizohet me Saliun e pastaj është edhe taksirati që duhen dëgjuar analistët dhe reporterët e COVID-it, që nuk dinë se çfarë flasin?

 

Që të jemi shumë të qartë, në Shqipëri nuk kemi bërë asnjë mrekulli. Ne në Shqipëri si gjithë bota kemi një sfidë të madhe. Dje, Presidenti i zgjedhur i SHBA-së doli paralajmëroi 200 mijë vdekje të tjera. SHBA-ja po arrin në shifra që nuk i ka arritur në asnjë luftë dhe paralajmëroi 200 mijë vdekje të tjera, Presidenti i zgjedhur i SHBA-së.

 

Pse nuk e ndalon Amerika zinxhirin e infeksionit me formulën e Lulzimit derdimenit dhe me psallmet e Ilir kushit, bëni testime më shumë të ndaloni infeksionet?

 

Pse nuk i ndalon infeksionet Gjermania që ka bërë numrin më të madh të tesimeve dhe ka një qeverisje në të gjitha pikëpamjet ekselente, edhe në pikëpamje të kësaj sëmundjeje?

Pse del Kancelarja e Gjermanisë dhe thotë, me keqardhje, por gjurmimi ka hasur vështirësi për shkak të rritjes së numrit të infeksionit dhe nuk e ndjekim dot zinxhirin e infeksionit?

 

Pse del Presidenti i Frances, që udhëheq një vend, shëndetësia e të cilit është konsideruar maja e botës dhe vazhdon me masa shtrënguese, duke pohuar që infeksioni ka dalë jashtë kontrollit?

 

Pse iu doli jashte kontrollit këtyre, ndërkohë që Franca arriti të bënte nuk e di sa milionë teste brënda një dite.

 

Pse Sllovakia që u angazhua në një program testimi disa milionësh brenda ditës nuk e ka ndaluar zinxhirin e infeksionit, rritjen e numrave, rritjen e të vdekurve?

 

Po vjedhin ata me PPP, të gjithë?

 

Kjo është një tallje poshtëruese për politikën. Kjo është një lehaqenie që kur vjen nga njerëz që përfaqësojnë njerëz, të cilët janë aty për të dhënë alternativa serioze dhe të cilët janë aty për të folur me gjuhën e të vërtetës, përbën pa asnjë dyshim krim. Është kriminale të nxisësh panik me gënjeshtra, të nxisësh dëshpërim me sajesa, me fabrikime dhe është shprehja më kuptimplotë e dëshpërimit të të humburve. Janë të humbur, të marrë fund e prandaj nuk gjejnë rrugë të dalin nga qorrsokaku ku kanë futur veten e tyre. Nuk i kemi futur ne, nuk i ka futur populli, nuk i keni futur as ju, janë futur vetë në atë qorrsokak.

 

Një çetë karagjozësh, ku njëri thotë ma jepni mua se e ndaloj unë zinxhirin e infeksionit, tjetra thotë shkoni nëpër kisha e xhamia se nuk ka COVID. Tjetri del nga ana tjetër e thote sa mendalje do shpërndahen sot për të vdekur. Pa folur për atë të pakallurin e pusetës së Lalëzit, që vazhdon me çmenduritë e veta.

 

Vetëm dje, në Itali kanë vdekur, aq sa kanë vdekur në Shqipëri nga dita e parë. Ta marrësh me numër popullsie e të bësh krahasimin, për të qenë në të njëjtin nivel me Italinë, i bie që ne të kishim 30 vdekje në ditë, me numër popullsie. Ҫdo të thotë kjo, që ne jemi më të zotë? Jo!

 

Do të thotë që në Itali po vjedhin më shumë se ne, ndaj ka më shumë të vdekur?

 

Ҫ’është kjo gjuhë, ç’është kjo flamë, ç’është kjo marrëzi!

 

Edhe e gjithë politika e tyre është një P me një “o” të madhe, me një “rr” të fortë dhe me një “dh” që vazhdon dhe me “ë” në fund. Kjo është politika e tyre.

 

Ju lutem shumë, ndihmojini njerëzit, ndihmojeni popullin, sepse, siç na ka rënë ne një përgjegjësi shumë e rëndë për t’u mbajtur, ju ka rënë dhe juve një përgjegjësi më e rëndë se zakonisht që të raportoni në këtë situatë kaotike, në këtë situatë ku problemi me informacionin është problem i madh, që lidhet me emocionet e njerëzve, lidhet me kthjelltësinë e njerëzve, me marrjen e këshillave të duhura nga njerezit. Ndaj e kemi thënë dhe e përsërisim, është shumë e rëndësishme, si kudo në botë, që njerëzit t’ju referohen sa më shumë shifrave zyrtare dhe natyrisht duhet të jeni ju që të sillni shifra dhe nga vendet e tjera, se këtu është hata e madhe. Sikur COVID ka vetëm në Shqipëri, sikur vetëm në Shqipëri vdesin njerëz, sikur vetëm në Shqipëri është rritur numri i infeksioneve e sikur vetëm në Shqipëri hidhen njerëz nga dritarja. Pastaj, aq shumë fiksohet në drejtimin e gabuar mendja e disave, sa edhe kur ua tregon spitalin nga brenda, e quajnë propagandë, i quajnë reklamë, e quajnë film, ndërkohë që filmat e  perditshem me dokrra i marrin për të vërteta. Sepse gënjeshtra është shumë më efikase se e vërteta në marrjen e vëmendjes dhe e keqja ka shumë më tepër impakt se e mira në mendjen e njeriut. Sepse e keqja është e rrezikshme dhe rreziku nxit menjëhere tjetër vëmendje.

 

Sot që flasim, në strukturat COVID kemi 30% të kapaciteteve të lira akoma.

 

Ju lutem shumë, jeni të ftuar që nesër së bashku me ministren e Shëndetësisë të shkoni ta vizitoni COVID 4, sepse aty nuk kemi akoma pacientë. Nuk ka asnjë rrezik për ju dhe asnjë problem për stafin, sepse nuk ka pacientë. Vizitojeni dhe tregojuani njerëzve ku janë shtretërit, sallat dhe struktura që pret.

Ҫdo me thënë spitalet në kolaps? Mund të ishim, larg qoftë, mund të na ndodhi nesër, por nuk janë. Shikoni foto, video, në zemër të Bashkimit Europian, në Bruksel i keni pacientët të shtrirë në korridore, realisht në koridore. Ҫ’do themi ne tani, që jemi më të zotë? Jo! Që ata janë Afrike? Jo! Por u kanë dalë numra çdo ditë përtej mundësisë dhe Belgjika ka insistuar në periudhen midis dy valëve për t’i dyfishuar kapacitetet.

Shikoni Holandën e dashur, që është padiskutim për nga pasuria, për nga shkenca, për nga përparimi mes kampionëve të botës. Gjermania i ka hapur Holandës kanal jeshil për t’i çuar të sëmurët në landet ngjitur, se nuk ka vend në spital.

 

E kuptoni se çfarë po i bëni këtij populli, duke krijuar çmenduri si ajo që thoshte kolegu juaj, zhurma e aparaturave të vjetra!

Cilat aparatura të vjetra? Mund të kishte, por janë aparatura, të cilat janë marrë enkas për këtë dhe kemi rezervë, të pavëna në shfrytëzim, sepse lavdi Zotit, në terapinë intensive, numrat janë shumë më poshtë sesa parashikimet e të keqes.

Ҫdo me thëne që duhet marrë oksigjeni në shtepi? Si mund të merret oksigjeni në shtëpi pa një mjek, pa një kontroll të përditshëm?

 

Nga ana tjetër, nëse vijmë tek buxheti, jo sot, por prej muajsh e deri në fund të kësaj flame, janë 1 mijë euro plus mbi rrogën për të gjithë mjekët që janë në strukturat mbrojtëse në vijën e zjarrit dhe 500 euro për të gjithë stafet e asaj vije. Janë 550 mjekë, 1130 infermierë, 134 epidemiologë dhe 754 staf mbështetës. Mblidhni të gjithë këto bashkë, bashkëpunoni edhe me Lulin, për të nxjerrë shifrat, se ai ka të mirën që i nxjerr më shumë sesa janë dhe do shikoni që jemi në kushtet që kemi një armatë të tërë që është në punë 24 orë. Ҫ’do me thënë nuk ka mjekë, nuk ka infermierë, se kanë ikur të gjithë në Gjermani! Përveç këtyre, është një rezervë e tërë mjekësh dhe infermierësh gati për t’u future në veprim.

 

Ka mësuar edhe një gjë Likja, nuk ka plan. Likja që të vetmin plan ka si të ndajë dëshmorët në mjeshtra pune, në mjeshtra sporti dhe në ustallarë votash.

 

Automabulancat, shkoni shikoni nesër çfarë kanë brenda. Nuk janë autoambulancat e Peço Vasilit, as autoambulancat e Tritan Kryemadhit. Janë ambulanca të pajisura 100% me të gjithë instrumentet për të sëmuret përkatës, me aparaturat e oksigjenit dhe gjithçka tjetër.

Ҫ’do me thënë dergjen njerëzit në autoambulanca se nuk ka vend në spital? Nuk është e vërtetë. Është gënjeshtër.

Autoambulancat shkojnë në spital dhe ka një procedurë për t’i marrë njerëzit e për t’i futur brenda, se nuk është urgjencë për këmbën që e theu në futboll, ai afrikani që është vlerë kombëtare dhe mori pasaportë për 8 orë, por është procedure shtrimi. Në ndërkohe që bëhet procedura e shtrimit një pas një, në autoambulancë pacientet marrin të gjithë shërbimin. Shkoni shikoni autoambulancën, meqë, kur i tregojmë ne, janë reklama dhe tregojuani njerëzve se ç’ndodh në autoambulancë.

 

Ҫ’do me thënë rrinë nga larg 100 metra, shikojnë automabulancën dhe thonë nuk ka vend në spital. Mund të mos kishte, siç nuk ka në Bruksel, por ka. Fakti është që ka.

 

Ҫ’do me thënë, pse nuk i jepen telefonat pacientëve në pavionet COVID? Në cilin vend t’i lënë telefonat në pavionet COVID? Në Itali, Angli, Amerike?

Çfarë është pavioni COVID, stadium? Apo është dasmë për të bërë video?

 

Jo vetëm që ne e kemi në plan, jo vetëm që strategjia e shkruar dhe e përditësuar i ka shkuar edhe baba Xhikes në tryezë si President, që, në fakt, prej presidenti ka vetëm kostumin dhe asgjë tjetër më, por si pjesë e strategjisë, ne kemi angazhuar financiarisht edhe për sigurimin e vaksinës.

 

Kemi vënë angazhimin financiar, siç kanë bërë të tjerët dhe në buxhetin e ardhshëm parashikojmë 55.3 miliardë, ose 9.4% të buxhetit vetëm për shëndetësinë në vitin e ardhshëm. Është financimi më i lartë publik për shëndetësinë në 30 vjet.

 

Merrini dhe verifikojeni shifrat, është apo nuk është.

 

Pjesë e këtij buxheti do të jetë rritja e pagave, që nuk është vetëm për vitin tjetër, por është përgjithmonë, se nuk do t’i rrisim vitin tjetër që t’i ulim pas 1 viti. 40%, 18 mijë personal shëndetësor, meqë nuk kemi mjekë dhe nuk kemi  infermierë. 18 mijë personel shëndetësor dhe janë në pritje disa mijëra të tjerë që të futen në punë, si mjekë dhe si infermierë, që, sa për dijeni, nuk janë në Gjermani, janë këtu në Shqipëri.

 

Po ashtu, është një paketë e tërë specifike, 15 milionë euro, e siguruar nga Banka Botërore. Plus, paketa për vazhdimin e luftës me COVID-in, 1.7 miliardë për mjetet e mbrojtjes personale, për barnat dhe oksigjenin dhe 1 miliardë për bonusin që të vazhdojë të jepet. Pra, në kushtet e rritjes së pagave dhe të bonusit, mjekët dhe infermierët tanë në pavionet COVID do çojnë në shtëpi, falë edhe taksave shumë të ulëta që kanë, më shumë sesa do çonin po të shkonin të punonin në gjermani.

 

Bëjini verifikimet, llogaritë, se kur shkojnë në Gjermani, nuk shkojnë shefa pavioni. Nuk shkojnë as primarë.

 

650 milionë lekë janë të planifikuara për punonjësit jashtë sistemit shëndetësor, që do të angazhohen për të rritur burimet njerëzore, për gjithë rezervën, 6.5 milionë dollarë janë vënë që, në rast se do të duhet të futen më shumë njerëz në luftë, të futen. Këta janë mjekë dhe infermierë, që janë në reserve, janë me listë, janë me emra, janë me mbiemra dhe janë të regjistruar nga A-ja tek ZH-ja, jo si dëshmorët e Likes që shkon tek V-ja direct, se tek V-ja është tanku.

 

1.2 miliardë të tjera, 12 milionë dollarë për kapacitetet laboratorike në institucion e shëndetit publik dhe 1.4 miliardë për financimin e vaksinës përmes aleancës COVAX. Jemi duke parë dhe nuk e kemi akoma të konkluduar, se nuk bëhen hesapet pa hanxhinjtë, se kur thoja unë në mars dhe në prill që shikoni se nuk mbaron kjo punë në qershor, që Luli, Likja, Moni, Xhikja thonin hidhini të gjithë çfarë keni tani dhe mbylleni këtë punë. Piramidë, Sudja, Vebiu, Xhaferi, Saliu. Dhe tani, po të kishim dëgjuar ata, nuk do kishim më kokërr leku për të financuar këtë luftë.

 

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka bërë projeksionin dhe po e shohim në dinamikë për sa do të jetë infektueshmëria potenciale dhe kemi gati edhe një paketë tjetër, e cila do të dalë shumë shpejt, qoftë për të mbështetur të sëmurët për barnat esenciale, qoftë për të mbështetur pavarësisht COVID-it, por në situatën e COVID-it, familjet në ndihmë ekonomike, sepse gjërat mund të zhvillohen në drejtime të ndryshme.

 

Ne nuk kemi bërë masa shtrënguese të një natyre si ato që janë bërë në shumë vende tani që flasim. Masat tona shtrënguese janë minimale, sepse ne nuk duam ta mbyllim ekonominë, jo sepse mendojmë që ta mbajmë ekonominë hapur dhe le të vdesë kush të vdesë, por sepse mendojmë që ka mundësi të mbahet një ekuilibër dhe ne duam ta mbajmë ekuilibrin, prandaj i bëjmë thirrje dhe i përsëris thirrjen njerëzve, të bëjnë detyrat e tyre të thjeshta dhe secili të bëjë detyrën e vet. Ama në të gjitha rastet, për njerëzit më në nevojë, situata është jo e lehtë dhe ne duam që atyre që janë me ndihmë ekonomike, deri në përfundim të kësaj flame t’i bëjmë një shtesë të konsiderueshme të mbështetjes finaciare.

 

Po këto janë të gjitha para e në këto kushte, mos e harroni atë që thashë më parë, nuk është çështja që ti planifikon një rrugë që ia di fundin. Ti planifikon duke pasur parasysh që rrugës mund të ndodhin kthesa shumë të papritura, siç ndodhi me valën e dytë. Vala e dytë është më e fortë se e para dhe nëse shohim eksperiencën e të shkuarës, ka dhe një valë të tretë më pas, që nuk është si e dyta, është më e dobët, por, sidoqoftë, është e mundur. A do vijë apo nuk do vijë këtë nuk di ta thotë askush, por ne duhet të jemi të përgatitur. Nuk shkohet në rrugën e qeverisjes si në ruletën e Lulit, të Likes, të Monit, të Xhikes.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *