Politike
“Nuk shkohet në Europë me Taulant Ballën”/ Berisha: Aktiviteti antidemokratik…

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët kritikoi Kryeministrin Edi Rama, për bllokimin e zgjerimit të BE nga Gjermania dhe Franca, për shkak të aktivitetit anti-demokratik të tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Lideri i opozitës u shpreh se është e pamundur që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, për sa kohë Rama ka në kabinetin e tij një ministër e deputet si Taulant Balla. Ndër të tjera Kryedemokrati tha se Shqiptarët kanë vetëm një alternativë për pasaportën evropiane, të ikin nga Shqipëria
“Ky vendim është i katër muajve më parë. Është një skedulë e katër muajve më parë. Por theksoj këtu, se për PD-në, integrimi i Shqipërisë në BE është interesi kombëtar. E shpall çështje numër 1 të interesit kombëtar të Shqipërisë, yllin polar të programit tonë. Në këtë kontekst, në qoftë se ka një forcë politike që ka dëshmuar seriozitet të plotë në procesin e integrimit dhe ka arritur çdo objektiv që ka përcaktuar, kjo është PD. Sali Berisha nuk i shtrin dhe nuk do i shtrijë dorën asnjë njeriu, përveçse do punojë fort për të zbatuar në këtë vend, për të arritur në këtë vend, për të ndërtuar në këtë vend standardet dhe kriteret evropiane, të cilat janë rruga më e sigurt e integrimit të Shqipërisë në BE.
Po u tregoj një shembull, e kam thënë edhe herë të tjera. Diskutonin për vizat. Unë nuk i kërkova kujt të na bëjë një favor. Kisha vetëm një kërkesë, i kam thënë zonjës Angela Merkel në një samit: Zonjë, unë atë që kërkoj, ose të sjellë një delegacion, për të vërtetuar 130 kriteret që ishin se Shqipëria i ka plotësuar. Zonja nuk ngurroi, por dërgoi drejtorin e përgjithshëm të policisë gjermane. Tre ditë në mision ai, një nga një, bëri një raport të shkëlqyer. Për NATO-n kam ndjekur të njëjtën praktikë. Por tani ka një gjë, gjithë ky aktivitet antidemokratik i Edi Ramës, i Aleksandër Vuçiçit, jo vetëm i atyre, por edhe i të tjerëve, ka bërë që qeveria e re gjermane të dalë me një deklaratë me të cilën kthehet procesi i integrimit, mbetet në standby, në kuptimin që nuk mund të ketë zgjerim tjetër për reformimin e BE.
Dhe këtë e kanë në sintoni me qeverinë franceze. Dhe kur këta dy faktorë bëhen bashkë, të garantoj se ai mur është i pakalueshëm. Ai kalohet vetëm duke plotësuar çdo kriter, çdo standard. Dhe të garantoj se atëherë bëhet plotësisht i kalueshëm. Nuk shkohet në BE me Taulant Ballën ministër, deputet. Ky i ka vënë të gjithë deputetët me dosje në mënyrë që të luftojnë për jetë ose vdekje për grabitje votash përndryshe shkojnë të gjithë në burg.
Ndaj i ftoj të gjithë shqiptarët të mendojnë se nëse janë vërtet për integrimin, të votojnë forcën politike që ka dhënë prova të pakundërshtueshme se ajo integron.
Ka integruar në Këshillin e Europës, ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE, ka liberalizuar vizat, ka marrë rekomandimin nga KE për statusin e kandidatit dhe ka marrë festën dhe ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Të gjitha këto në 8 vite. Pra, ata që kanë ADN-në e integrimit, ata dihet se kush janë dhe të mos mashtrohen me pasaportën false të Edi Ramës, të cilën sot për sot nuk e pranon askush. Shqiptarët kanë vetëm një alternativë për pasaportën evropiane, të ikin nga Shqipëria. Kaq është!” tha Berisha.

