Bota
Nuk siguroi vota në parlament për sanksione të reja ndaj Izraelit, jep dorëheqjen ministri holandez

Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp, dha dorëheqjen pasi nuk arriti të merrte mbështetjen e nevojshme në parlament për të miratuar sanksione të reja ndaj Izraelit lidhur me konfliktin në Gaza.
Veldkamp i kishte komunikuar parlamentit planet për të propozuar masa të reja kundër Izraelit, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e partnerëve të tij në koalicion.
Ish-ambasadori në Izrael, 61 vjeç, u shpreh për mediat se ndihej i paaftë të ndjekë vetë politikën që mendonte se ishte e domosdoshme. Pas dorëheqjes së tij, edhe pjesëtarët e tjerë të kabinetit nga partia e tij e qendrës së djathtë, Kontrata e Re Sociale, dhanë dorëheqjen, duke krijuar një situatë të paqëndrueshme në qeverinë holandeze.
Në qershor, qeveria e mëparshme u shemb pasi partia e ekstremit të djathtë u largua nga koalicioni katërpartiak për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikat e imigracionit. Tani, tre partitë e mbetura vazhdojnë si një qeveri tranzitore deri në zgjedhjet e tetorit.
Holanda po përballet me rritje presioni për të ndryshuar qasjen e saj ndaj Izraelit. Muajin e kaluar, mijëra qytetarë protestuan në stacionet e trenave në të gjithë vendin, duke goditur tenxhere dhe tiganë për të simbolizuar mungesën e ushqimit në Gaza.

