Connect with us

Kronike

‘“Nusen” e kishim pranuar’/ Djali i saj dyshohet se vrau 52-vjeçaren, reagon nëna e Ilirjan Selmanit

Pas arrestimit të Ilirjan Selmanit, i dyshuar për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teco, ka reaguar nëna e tij, Sanie Selmani, duke mohuar përfshirjen e të birit në këtë krim.

Në një deklaratë jashtë kamerave, nëna e Ilirjanit shpreh bindjen se djali i saj është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me ngjarjen tragjike që tronditi qytetin.

“Djali im nuk mund të vriste askënd, aq më pak atë grua që e njihte mirë. Dje ai ishte kthyer nga Korça dhe, si çdo ditë tjetër, shkoi te dera e saj për t’i marrë mbeturinat, sepse ajo nuk dilte dot nga shtëpia. Nuk ka bërë ai asgjë. Nuk ka prova kundër tij.”, është shprehur Sanie Selmani.

Përkundër mosmarrëveshjeve të dikurshme për lidhjen e Ilirjanit me viktimën, nëna e tij thekson se familja e kishte pranuar marrëdhënien.

 

 

“Ne nuk ishim dakord në fillim për lidhjen, por ai e kishte pranuar siç ishte dhe nuk i kemi kërkuar të ndahet. Ai nuk krijonte probleme, e njihnin të gjithë në lagje.”

Sanie Selmani gjithashtu hedh akuza ndaj mënyrës së ndalimit të të birit nga policia, duke theksuar gjendjen e tij të rënduar shëndetësore.

“Kam lexuar shumë gënjeshtra në media. Dje erdhën shumë policë, desh e mbytën kur e morën. Djali im është i sëmurë nga zemra. Duam që policia të nxjerrë të vërtetën – ai nuk është vrasësi.”

Ngjarja mbetet nën hetim dhe policia ende nuk ka dalë me një deklaratë përfundimtare mbi autorësinë. Familjarët e të dyshuarit kërkojnë drejtësi dhe një hetim të thelluar për të zbuluar të vërtetën.

Advertisement