Bota
NYT: Trump nuk do të tërheqë armët bërthamore nga Evropa

Vendet e mëdha evropiane kanë filluar të flasin seriozisht për NATO-n dhe se si të zëvendësojnë rolin jetik amerikan brenda aleancës.
Kjo, si në aspektin e armëve të sofistikuara, ashtu edhe të udhëheqjes politike dhe ushtarake, shkruan New York Times.
E përditshmja amerikane vëren se ka pak dëshirë për të përshpejtuar ndonjë shkëputje me Washington-in, pasi çdo tranzicion i tillë ka të ngjarë të marrë pesë deri në 10 vjet.
Shtetet evropiane po diskutojnë nga ana tjetër se çfarë mund t’i propozojnë Trump-it në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor, në Hagë, që do të sigurojë bashkëpunimin amerikan në çdo tranzicion.
Por ndërkohë, zyrtarët e Trump “kanë siguruar privatisht evropianët se presidenti i SHBA-ve mbështet NATO-n, do të mbajë ombrellën bërthamore amerikane mbi Evropën dhe do të mbetet i përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive”.
Sipas NYT-së, pikëpamjet e Trump-it janë shumë të ndryshueshme dhe ai vazhdon ta shohë NATO-n si një klub ku anëtarët paguajnë për mbrojtjen amerikane.
Në mandatin e tij të parë, ai shpesh mendonte për largimin nga NATO, ndërsa thoshte se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë vetëm vendet që paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen.
Këtë muaj, ai e përsëriti atë paralajmërim. Ai ka kërkuar që anëtarët e NATO-s të paguajnë deri në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen, dukshëm më shumë se Shtetet e Bashkuara, të cilat shpenzojnë rreth 3.4 për qind të PBB-së.
Kohët e fundit, udhëheqësit evropianë kanë marrë mesazhin e qartë nga Washington-i se duhet bërë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe për Ukrainën gjithashtu.
Ata ruajnë një retorikë të ashpër kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës dhe për mbrojtjen e kufijve të tyre, dhe po i kundërvihen një administrate kërkuese dhe madje armiqësore të Trump-it, shkruan në vijim New York Times.
Por ka një hendek të pashmangshëm midis fjalëve dhe veprimeve, dhe uniteti tashmë po thyhet, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpenzimin dhe huamarrjen e parave në një periudhë me rritje të ulët dhe borxh të lartë.
Në një kohë kur shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, njoftoi një plan për miliarda të tjera për ushtrinë, të quajtur “Riarmatosja e Evropës”, dy nga vendet më të mëdha të bllokut, Italia dhe Spanja, menduan se gjithçka ishte paksa agresive.
Kështu që tani plani është riemërtuar si “Gatishmëria 2030”.

