Bota
NYT: Udhëheqësi i ri i Hamasit po e bën të vështirë armëpushimin në Gaza

Ndërsa Shtetet e Bashkuara shtojnë presionin për të arritur një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit (Donald Trump shpreson të bëjë një lëvizje të rëndësishme në takimin e tij me Netanyahun javën e ardhshme), gjithçka tregon se e ardhmja e negociatave tani është në duart e udhëheqësit të ri de facto të organizatës palestineze në Gaza. Izz al-Din al-Haddad ka marrë përsipër udhëheqjen e krahut ushtarak të Hamasit në Rripin e Gazës. Ai drejton grupin pas vdekjes së Mohammed Sinwar. Lajmin e kanë zbuluar për “New York Times” një zyrtar i lartë i inteligjencës së Lindjes së Mesme dhe tre zyrtarë të mbrojtjes izraelite, të cilët kanë zgjedhur të flasin në kushte anonimati.
Lajmi u konfirmua edhe nga zëdhënësja e ushtrisë izraelite, gjeneralmajor Effie Defrin.
Sipas zyrtarëve, al-Haddad, i cili është në fund të të 50-ave, mori pjesë në planifikimin e sulmit të madh të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe konsiderohet si person “i vijës së ashpër”, më pak pajtues dhe kundërshton fuqimisht përpjekjet e Izraelit për të larguar organizatën nga pushteti në Gaza.
“Ai ka të njëjtat vija të kuqe si paraardhësit e tij,”- tha Michael Milstein, një ish-oficer i inteligjencës ushtarake izraelite i specializuar në çështjet palestineze. Sipas raportit, udhëheqësi i ri i Hamasit thotë se organizata do të mbështesë një ndërprerje të plotë të armiqësive dhe tërheqjen e trupave izraelite përpara se të lirojë të gjithë pengjet e mbetura në Gaza. Nga ana e tij, Izraeli kërkon të neutralizojë plotësisht aftësitë ushtarake të Hamasit dhe ta zhveshë nga pushteti në Rripin e Gazës.
Thuhet se al-Haddad, në një bisedë që i është bërë me dije “New York Times”, ka thënë se është i vendosur që Hamasi të arrijë një “marrëveshje të ndershme” me Izraelin. Në të kundërt është shprehur i gatshëm që konflikti të vazhdojë ose në çlirim të Palestinës, ose “martirizim”.
Propozimi i ri për armëpushim
Iniciativa e fundit për deeskalim është në tryezë. Po kërkohet një armëpushim 60-ditor, lirimi i 10 pengjeve dhe transferimi gradual i trupave të 18 pengjeve izraelite të vrarë në Gaza. Po ashtu, kërkohet tërheqja graduale e njësive ushtarake izraelite në Vijën Morag, e cila kalon nëpër Gazën jugore nga lindja në perëndim, midis Rafah dhe Khan Yunis. Sipas të njëjtit plan, të paktën 1,000 të burgosur palestinezë pritet të lirohen nga burgjet izraelite – përfshirë 100 persona që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm.

