Kosova
O’Brien i shkul veshin Vuçiçit për përshkallëzimin e situatës në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka biseduar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vuçiq tha po ashtu se me zyrtarin e lartë amerikan ka biseduar edhe për zhvillimet aktuale në botë dhe rreziqet në rritje për sigurinë.
“Përsërita qëndrimin e palëkundur të Serbisë që promovon paqen dhe ruan stabilitetin, duke kërkuar mbështetje të fortë dhe të qartë nga partnerët amerikanë në përpjekjet tona” – deklaroi Vuçiq.
Më herët gjatë ditës, presidenti serb tha se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë në kryerjen e një hetimi me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet persa i përket shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok të Kosovës.
“Nëse shpërthimi është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe, dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Ai deklaroi se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe në disa mënyra edhe me institucionet në Prishtinë, pa vënë në rrezik sovranitetin dhe pavarësinë e Serbisë.
Vuçiq tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori, dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia.