Connect with us

Kosova

Oferta e politikanit serb: Po njohjes dhe anëtarësimit në NATO të Kosovës

Ivan Videnoviç, një prej zërave të fortë pro-perëndimorë dhe nënkryetar i lëvizjes “Zëri” në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, njëherësh profesor në Fakultetin e Fizikës në Universitetin e Beogradit, ka konfirmuar se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një ndër shtyllat kryesore të programit politik nëpërmjet të cilit do të garojnë në zgjedhje.

Në një intervistë për portalin malazez “Analitika“, ai ka theksuar se në zgjedhjet e 17 dhjetorit do të hyjnë duke mos e fshehur premtimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, diçka që Qeveria e Serbisë e refuzon.

“Ne nuk fshihemi pas frazave boshe. Ne duam të anëtarësohemi menjëherë në NATO dhe të anëtarësohemi shpejt në BE. Ne mendojmë se Kosova është e pavarur dhe duam marrëdhënie të ngushta miqësore me Kosovën” –  ka deklaruar Videnoviç, ndërsa ka shtuar se do të avokojnë zyrtarisht për ripërcaktimin e plotë të politikës rajonale të Serbisë.

“Në vitin 2003, ne përsëri kemi rënë në regresion nën barrën e panevojshme të humbjes së ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç dhe humbjes së Kosovës, duke lënë të paprekur bartësit e fatkeqësisë kombëtare dhe tradhtisë së vitit 1999. Në vitin 2008 ia kemi dorëzuar vendin banditëve të regjimit të presidentit rus, Vladimir Putin” – ka potencuar nënkryetar i lëvizjes “Zëri”.

Perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore, duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Advertisement