Kosova
OKB-ja paralajmëron rrezikun e një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë
Fabian Salvioli, raportues Special i Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës dhe drejtësisë, pas vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi ka paralajmëruar rrezikun e një konflikti të ri për shkak të diskursit aktual në Prishtinë dhe Beograd.
“Raportuesi special është i alarmuar me përdorimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe Serbi të narracioneve etnocentrike, nacionaliste, të njëanshme ose jo të plota për konfliktin, në politikë, media, kulturë dhe arsim. Manipulimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe përforcimi i njëkohshëm i ndjenjave nacionaliste dhe etnike për arsye politike, edhe nëse duket se siguron përfitim politik jetëshkurtër për mbështetësit dhe autorët e tij, nuk është vetëm i paligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, por edhe i afatshkurtër”, thuhet në raportin e publikuar nga media boshnjake Oslobodenje.
Po ashtu, Salvioli vlerësoi mungon edhe bashkëpunimi mes dy vendeve në shkëmbimin e informacionit për personat e pagjetur nga vitet e fundit.
“Familjet e personave të zhdukur janë kthyer në peng të interesave politike, por edhe të mosgatishmërisë së autoriteteve për të marrë masat e nevojshme për t’i dhënë fund vuajtjeve të tyre”, thuhet në raport ku dhe potencohet se vendimmarrësit në Serbi dhe Kosovë “kanë nisur një garë negative” në programet e tyre të kërkimit të së vërtetës dhe përgjegjësisë penale.