Politike
Olsi Rama i përfshirë në trafikun e kokainës në Xibrakë? Basha: Unë e kam denoncuar i pari
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një konferencë për mediat, u pyet në lidhje me akuzat e Gazment Bardhit në drejtim të Olsi Ramës, si i dyshuar se është përfshirë në trafikun e kokainës në Xibrakë.
Basha theksoi se ka denoncuar i pari ngjarjen që më 2018, duke shtuar se bën thirrje që gjithçka të hetohet. Ai shtoi se ndryshe nga se veprojnë të tjerët, vetë si person nuk krekoset.
“Unë e kam denoncuar këtë skandal i pari, që duhet hetuar, atë për përfshirjen e mundshme të Olsi Ramës në trafik droge në Xibrakë. Nuk e përdor çdo aspekt të qëndrimeve politike publike për interesa vetjake. Thirrja ime mbetet e njëjtë si më 2018, që të hetohet ngjarja. Se çfarë kanë bërë me këto prova e me këto indicie, i takon drejtësisë. Nuk kam pse krekosem para mediave, unë kam denoncuar publikisht. Nuk kam rrahur gjoksin para kamerave, denoncimi është bërë. Nuk bëra denoncim për të hequr vëmendjen nga ndonjë çështje. Të tilla kanë qenë përpjekjet tona edhe për dosje të tjera”, tha Basha.
I pyetur se përse e ka mbështetur marrëveshjen e 2008, Basha deklaroi se ka menduar në atë kohë se kjo marrëveshje do të linte kriminelët jashtë listës, por se ka gabuar në këtë perceptim.
“Qëndrimet e mia për marrëveshjen e vitit 2008 kanë nisur prej kohësh. Unë kërkoj ndjesë para shqiptarëve, pasi kam qenë pjesë e atij grupi që kam votuar pro marrëveshjes, sepse donim të ndalonim personat me rekorde kriminale që të depërtojnë në politikë, por kjo nuk doli të jetë e vërtetë. Vettingu i politikanëve është i domosdoshëm. Kurse marrëveshja e 2017 u pranua nga të gjitha palët”, u shpreh Basha.