Aktualitet
“Goditja” e 2 laboratorëve të kokainës/ Reagon Dumani: Sinjal i fortë për të gjithë!
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka reaguar në lidhje me operacionin antidrogë të zhvilluar mbrëmjen e djeshme te Kodra e Diellit 2 si dhe në Qerekë të Fushë Krujës. Gjithashtu gjatë këtij operacioni u bë i munudur zbulimi i laboratorit të drogës në Qerekë ku përpunohej kokaina e importuar nga Amerika Latine e fshehur në lëkurat e kafshëve. Dumani në reagimin e tij e ka cilësuar këtë operacion si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
Sipas tij ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë.
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete”, u shpreh ai.
Ndërsa, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti. Ai shtoi se goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar”, u shpreh ai.