Aktualitet
Operacioni i SPAK/ IMT distancohet: Distancohemi nga sjellje të tilla të papranueshme

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, IMT Tiranë ka reaguar në lidhje me operacionin e zhvilluar me udhër të SPAK ku u prangosën dy inspektorë. IMT shton se dy të arrestuarit dhe dy personat e tjerë të shpallur në kërkim kanë shkelur rëndë ligjin.
Në njoftim theksohet kjo sjellje është e papranushme dhe se IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Më tej theksohet se janë marrë masat dhe ata janë shkarkuar nga detyra.
“Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast.
Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.
IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij,” thuhet në reagim.
Gerald Fuçia dhe Edmond Çela janë dy punonjësit e IMT-të të cilët u vendosën në pranga. Ata u prangosën pas një denoncimi në polici se ata merrnin ryshfet nga biznese të ndryshme për t’i favorizuar në zaptimin e ambienteve publike, duke lejuar ndërtime të paligjshme. Në kërkim është vënë edhe Klajdi Zhilla dhe një person tjetër. Arrestimi i tyre ka ndodhur në lokalin e ish-deputetit, Mark Frroku në Kombinat.

