Connect with us

Shkrime

Opozita e “bashkuar” rreth Edi Ramës

Nga Desada Metaj

Që prej çarjes së madhe te PD-së pas shpalljes non grata të Sali Berishës, retorikë qëndrore e pjesës më të madhe të deputetëve të opozitës ka qenë bashkimi. Më shumë se analiza për arsyet e ndarjes, shkaqet që çuan në skenat e turpshme të 8 janarit apo akuzat dhe llumi që u hodh pa kursim, fokusi ishte bashkimi. Dhe kur më në fund bashkimi ndodhi, bashkë me zbythjen nga revolucioni permanent ai solli dhe ndryshimin e kursit të betejës së Rithemelimit me qeverinë.

Produkti i parë politik i bashkimit të “shumëpritur” ishin komisionet hetimore parlamentare. Që me ndryshimet e miratuara nga mazhoranca pa debat në kohën që “bashkimi” hidhte tymuese, kanë më pak hapësira për hetim dhe tashmë është shumica ajo që do të vendosë nëse mbledhjet do të jenë të hapura ose jo për median. Përtej kësaj, ndryshimi i objektit të hetimit të komisionit hetimor për koncencionet në shëndetësi duke tkurrur nga 4 në 2 numrin e koncencioneve në shqyrtim tregoi qartë se interesat e vogla të opozitës vlenin më shumë se interesi publikut për vjedhjet e qeverisë. Aktualisht komisioni hetimor do të hetojë koncencionin e sterilizimit (për të cilin Spak ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme) dhe atë të check-up. Paradoksalisht, koncencioni i dializës dhe ai i pajisjeve laboratorike (që hetohet ndërkohë nga Spak) u tërhoqën nga kryetarja e komisonit Albana Vokshi si objekt hetimi i komisionit pa ndonjë arsye të qartë. I qartë për publikun mbetet fakti që opozita në tërësi por dhe në copëzat e saj, ka interesa të qarta dhe të ngushta të lidhura me kuletën e çdo biznesi që ka përfituar nga fondet publike. Dhe është kaq e dukshme kjo, sa së fundmi opozitarët e post revolucionit permanent, thjesht po qarkojnë rrethin ku do veprojnë për t’u dukur aktivë si opozitarë e për t’iu afruar sa më afër listës së doktorit që mund t’i rizgjedhë si deputetë. Kjo përpjekje, si çdo hap më pranë doktorit ka sjellë dhe konkurrencë brenda llojit dhe të qënurit marionetë e makinacioneve të tij nuk është më lajm.

Sikundër betejat falce të Berishës me Edi Ramën nuk bëhen më për të marrë pushtetin por thjesht për të marrë nga kryeministri karrigen e opozitës. Kjo ndodhi dhe me marrveshjen e fundit mes tyre, pjesa e dukshme dhe e padukshme e së cilës i dha jo pak kosto Berishës tek mbështetësit . E për këtë duhej pak bojë e re për të lyer fasadën e vjetër të betejës me qeverinë. Me bojën e kësaj fasade janë përzier dhe penelat që risollën në vëmendjen e publikut akuzat për përfshirjen e vëllait të kryeministrit në dosjen e Xibrakës. Riciklimi i akuzave me shumë zhurmë në ditën kur Spak ndaloi disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës, në rastin më të mirë mund të konsiderohet një përpjekje për të marrë vëmendje më shumë se kolegët e Rithemelimit që tundnin e shkundnin akuzat e Spak. Në rastin më të keq mund të konsiderohet si lëvizje e sponsorizuar nga biznesmenët e afërt me interesat e klaneve të mazhorancës për t’u përfshirë e kapur një copë nga ajo që konsiderohet si luftë e brendshme në PS.

Advertisement