Connect with us

Kosova

Opozita në grackë/ Kush po i frikësohet 15-ditëshit për qeverinë e re në Kosovë

Për të 19-tën herë me radhë deputetët e legjislaturës së nëntë nuk arritën të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, teksa kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk po arrin t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.

Pa konstituimin e Kuvendit, gjë e cila mund të zgjasë deri në pafundësi meqë nuk ka një afat të caktuar se kur duhet të përfundojë ky proces, vendi nuk mund të ketë institucionet e reja.

Por, pse Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk po taktizojnë duke votuar kandidaten e LVV-së për kryekuvendare në atë mënyrë që të fillojë të rrjedhë afati kushtetues prej 15 ditësh për të formuar qeverinë e re?

Për analistin politik, Afrim Kasolli, partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, aktualisht, kanë zgjedhur pritjen, me shpresën se në këtë mënyrë kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, do të zhvleftësohet vetvetiu në sytë e opinionit publik.

Megjithatë, kjo strategji e tyre, në sytë e Kasollit, nuk do të thotë që mund të prodhojë rezultate positive dhe në vlerësimin e tij, asnjë parti politike nuk e ka vullnetin për të drejtuar qeverinë pasi ndër detyrat e para të çdo pushteti të ri do jetë adresimi i Asociacionit.

Kurse për publicistin dhe filozofin kosovar, Shkelzen Maliqi, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja aktualisht janë futur në grackën e Albin Kurtit, duke ndihmuar padashje bllokadën që i konvenon LVV-së.

“Qëllimi duhet të jetë hapja e rrugës për të matur forcën e Albin Kurtit. Albulena Haxhiu është bërë rrufepritëse për lojën meskine të ketij te fundit për të blerë kohë dhe komprometuar opozitën” – deklaroi Shkelzen Maliqi

Advertisement