Kosova
Opozita në Kosovë, pa kauzë politike
Fillimisht u ankuan për mos-transparencë nga ana e Qeverisë së Kosovës për çështjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa kur e pranuan atë nga kanalet zyrtare, konkretisht nga hartuesi, pra Bashkimi Evropian, po ngurrojnë në dhënien e një vlerësimi politik më të detajuar për këtë çështje, e kjo sjellje nga analistët politikë përveç se po konsiderohet si një non-sens logjik, po vlerësohet si pajtim me “kafazin” politik ku i ka vendosur Albin Kurti – pa kauzë politike të mirëfilltë opozitare.
Për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, opozita me këtë qasje, aktualisht po imiton Qeverinë e Kosovës me mos-transparencë në raport me çështjen e draft-statutit të Asociacionit.
Kasolli theksoi se mos-deklarimi i partive opozitare në raport me Asociacionin, ndonëse ka më shumë se një javë që e kanë pranuar draft-statutin, dëshmon se opozita është në një qorrsokak.
“Në njërën anë ata kalkulojnë se mund të përfitojnë politikisht, duke kritikuar në mënyrë sporadike Kryeministrin Kurti për keq drejtimin e procesit dialogues, por në anën tjetër e dinë se nuk mund t’i refuzojnë zyrtarisht rezultat e marrëveshjeve me Serbinë për të cilat është pajtuar Albin Kurti për shkak të faktorit ndërkombëtar, edhe pse ata janë të vetëdijshëm që nuk janë në favor të interesit të Kosovës” – potencoi ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilit me këtë qëndrim opozita po pajtohet me pasojat e veprimeve të pushtetit të Albin Kurtit dhe po i shërbejnë skenarit të tij dhe arsyetimeve për themelimin e Asociacionit.
Ngurrimi i opozitës për të dhënë vlerësime politike, beson Kasolli, qëndron te fakti se opozitës i mungon edhe opsioni alternativ në këtë drejtim.
“Në këtë mënyrë opozita është pajtuar me ‘kafazin’ politik ku i ka vendosur Albin Kurti, duke i lënë pa kauzë politike” – deklaroi Kasolli.
Nga ana tjetër, ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, fajëson Qeverinë e Kosovës për mos-transparencë në raport me Asociacionin, gjë që, sipas tij, ka shkaktuar një efekt domino ku opozita nuk ka informacione të detajuara për draft-statutin, ndonëse i njëjti u pranua nga ana e tyre më 30 nëntor.
“Për mua kjo është një përvojë shumë e dëmshme dhe e gabueshme sepse është dashur që të njoftohen nga Qeveria të paktën kryetarët e partive dhe të ketë një komunikim më normal ndërmjet tyre. Për këtë arsye opozita nuk ka një qëndrim të qartë edhe pse tërthorazi janë deklaruar se draft-statuti nuk është i favorshëm për Kosovën” – ka potencuar Arifi , I cili beson se “Mungesa totale e komunikimit qeveri – opozitë , ka detyruar këta të fundit të jetë më shumë në mbrojtje sesa në ofensivë, ndonëse kjo është çështje kombetare”.
Albin Kurti ishte kundërshtuesi më i madh i Asociacionit, por mjaftuan vetëm 3 vjet në postin e kryeministrit që ai t’i dalë në opozitë vetes, duke u bërë kryeministri i parë i cili pranon një draft-statut për këtë mekanizëm.