Kosova
Opozita në Kosovë vetëm zhurmues, kishte në dorë të luante shah me Kurtin

“Të shtunën nuk ishte një ditë e zakonshme në Kuvendin e Kosovës. Ishte dita kur një opozitë me tru do të duhej të kishte luajtur shah. Por ne pamë vetëm zhurmues që lëviznin figurat pa tabelë.
Lëvizja Vetëvendosje nuk gaboi kur propozoi Albulena Haxhiun për kryetare kuvendi, edhe pse e dinin që ajo nuk do të kalonte, por ne fakt dinin se ajo do t’i shërbente dështimit të qëllimshëm për të provuar kush i ka votat për të formuar qeverinë. Albin Kurti e dinte se me një fytyrë të kontestuar nga opozita, në fakt do nxirrnin jashtë loje votat jokomforte të NISMA-s e të minoriteteve. Ky ishte plani. Dhe funksionoi. Sepse LVV nuk kishte nevojë për të kaluar Albulenën në votimin e parë. Në fakt ajo ishte ushqim për votuesit e opozitës. Qëllimi ishte për të marrë votat në votimin e tretë, kur secila votë vlen për qeverinë e re dhe jo për karrige. Në këtë mes, opozita s’u tregua opozitë, por një lëvizje mekanike që numëron vota dhe nuk numëron asnjë ide” – keshtu shkruan ne editorialine tij te fundit opinionisti Baton Haxhiu
Nëse dikush nga opozita do ta kishte kuptuar se çfarë po luhej dhe do ta kishte votuar Albulena Haxhiun, do të digjej skenari i të hënës: LVV-ja do mbetej pa argument për të marrë votat e NISMA-s, sepse Fatmir Limaj e ka bërë të qartë: pa e patur ai drejtimin e Kuvendit, nuk ka votë për qeverinë e re. Me pak fjalë, nëse Albulena kalonte, NISMA do të tërhiqej nga marrëveshja e heshtur me Kurtin, dhe kështu votat e garantuara të LVV do të zbrisnin në 58.
Askush në opozitë nuk e pa këtë dritare drite. Askush nuk mendoi që ndonjëherë strategjia është të votosh jo për të ndihmuar kundërshtarin, por për ta ngatërruar në rrugë. Fatmir Limaj e ruajti të hënën për vete, me abstenimin e kujdesshëm që bëri. Gjithashtu edhe Ramush Haradinaj i dha oksigjen LVV-së me deklaratën e vet të parakohshme se do të votojë vetëm dy emra që vijnë nga ajo parti.
Te dy, si Limaj dhe Haradinaj qëndruan në barikadat e tyre, duke menduar se janë duke ruajtur moralin. Në fakt, opozita humbi betejën taktike dhe i dha epitetin e fituesit Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa vetes atë të humbësit.

