OPINION
Opozita si liri dhe bashkimi si skuthokraci!
Nga Arian Galdini
Opozita si liri dhe bashkimi si skuthokraci!
Nga Arian Galdini
A e mbani mend amanetin e Skënderbeut?
Mori thuprat dhe ua dha të tijve që ti thyenin një e nga një, e të gjithë i thyen.
Më pas i bashkoi thuprat e u kerkoi të tijve që ti thyenin ashtu, e asnjëri nuk e theu dot buqetën me thupra të bashkuara.
Dhe në fund, Skëndërbeu u tha: Veç e veç ju thyejnë, së bashku ju. Bashkimi bën fuqinë.
Çudi e madhe se prej asaj dite, edhe pse kemi patur një dyzinë me liderë politikë që kanë ardhur në krye të shtetit shqiptar e në krye të partive politike shqiptare që ngahera janë vetshpallur si Skënderbeu i dytë, asnjëri prej tyre nuk e ka pasur as në cilësi, as në vepra e as në fjalë, as në kulturë e as në mendim bashkimin.
Të gjithë liderët tanë politikë, kanë punuar për mllefin e dasitë, e janë karakterizuar nga nxitja e urrejtarisë dhe krijimi i ushtrive të të zemëruarve.
Axhenda dhe qëllimi i tyre ka qenë i qartë, dominim mbi “çifligun e vetë” për të bërë sa më shumë numra për ushtrinë e vetë të të mllefosurve që të mundin ushtrinë të mllefosurve të anës tjetër.
4 shtyllat mbi të cilat e kanë ndërtuar manualin e lidershipit të tyre udhëheqësit tanë të pagabueshëm kanë qenë e mbeten: Përça e Sundo, Mbizotëro dhe Asimilo.
Mbi këto 4 shtylla e kanë ngritur shkëlqimin e tyre duke prodhuar vetëm agjiprop linçues dhe lëvdues.
Linçohen ata që nuk dominohen dhe asimilohen.
Linçohen të pakontrolueshmit.
Mallkohen të ndryshmit, divergjentët.
Etiketohen, baltosen, llumosen të gjithë kundërshtarët, të ndryshimit, rivalët, të pa kontrolluarit dhe të parreshtuarit.
Dhe lëvdohen udhëheqésit, servilat, e skuthokratët.
Udhëheqësit lëvdohen, admirohen e adhurohen si të pagabueshëm, si legjenda, si të paarritshëm.
Ndërsa servilat, shërbëtorët e skuthokratët , lëvdohen si dëftues se si i do partia dhe udhëheqësi, “limfat e partisë”.
Tani le të vijmë tek debati i ditës mbi donosdoshmërinë që ka opozita për tu bashkuar.
Prej vitit 1997 e deri sot, këta që janë në krye të grupeve kryesore politike opozitare sot, e që kanë qenë ngahera aty prej 1944, e kanë lakuar kaq shumë bashkimin sa herë e kemi parë si Bashkimi për Demokraci, herë si Bashkimi për Fitore, herë si Bashkë Fitojmë, herë të tjera si Aleanca Fluide, ndonjëherë si bashkim me Nanon, të tjera si Reforma me Ramën,së fundmi e pamë si bashkimi për Gazin, apo siç e quajti vetë Gazi me të drejtë si bashkimi në diversitet, e kështu me radhë me gjithëfarësoj manovre, emërtimi, marifeti e forme.
Në dt 20 shkurt po na thonë, se duhet të provojmë edhe Bashkimin për Ballkonin.
Le të themi se po e marrim këtë si marrëveshje fjale e po e quajmë për mirësjellje ndaj argumentit, këtë që po ndodh, si bashkim opozitar, ose si përpjekje për bashkim, apo si nisje të një proçesi.
A vërtetë mendoni e besoni se bashkinet farkëtohen në sheshe e poshtë ballkoneve?
A vërtetë mendoni dhe besoni se bashkimi vjen si logjikë numrash dhe fuqie?
A vërtetë mendoni dhe besoni se duke nxituar për të rrahur gjoksin se duke qenë se “Bashkimi për Balkonin” është grupimi më i madh e më i fuqishëm opozitar, të gjithë ne të tjerët do të detyrohemi të bëhemi “saksi politike” që mezi presim të na gjeni një copëz vend në parvazet tuaja për të shpresuar se kështu do të lulëzojmë?
Kjo është zgjidhja dhe rruga juaj për bashkim?
Më vjen keq por le të biem dakort për pak matematikë dhe logjikë ballkoni.
Së pari, në matematikë, në biznes, në logjikë, nëse ju keni 50 e unë kam 1, juve nuk bëheni dot kurrë 51.
Humbja nuk është e imja e as vuajtja nuk është e imja.
Juve që keni 50 humbisni e vuani sepse ju mungon pikërisht ai 1 që ju bën 51.
Ne që jemi veç 1, e dimë që kemi rrugë të gjatë për tu bërë 2, 3, 10, 30, 50, për të synuar për tu bërë 51.
Arroganca e atyre që kanë 50 nëse shkon deri aty sa e poshtëron, shpërfill, nënqesh, sulmon, linçon, cilindo që ka 1, meriton arrogancën e refuzimit pa kushte e pa diskutim.
Nuk e detyron dot atë që ka 1 të skuthërohet pse ti ke numrat dhe fuqinë.
Numrat dhe fuqia përcaktojnë pa asnjë medyshje lidershipin dhe vendimmarrjen, por jo proçesin dhe parimet.
Askush nuk e vë në dyshim se kush ka numrat dhe fuqinë do ketë peshën e lidershipit dhe të vendimmarrjes.
Por kurrësesi nuk mund të përdoren numrat dhe fuqia për të përcaktuar proçeset dhe parimet.
Sepse në proçese dhe parime, numri 50 është i barabartë me nr 1.
Po e njëjta gjë vlen për marrdhënien mes “ballkonit dhe saksisë”.
Nqs, ju mendoni e shpresoni se të gjithë ne do të jemi “saksi” politike në kërkim të një parvazi për kacavjerrje, gaboheni rëndë.
Jo të gjithë ne jemi në kërkim të parvazit, jo të gjithë ne jemi të gatshëm të asimilohemi, e jo të gjithë ne jemi të gatshëm të skuthërohemi.
Faleminderit por ka ndër ne që dinë të çelin edhe mbi shkëmb.
Kush e do bashkimin, nuk të dërgon fletëthitrje ushtrie.
Bashkimi bën fuqinë. Ushtria bën alibinë e humbjes dhe tokën e djegur.