Politike
‘Ore, a jeni në vete?’/ Pas 1 ore në SPAK, Silva Bino ‘bezdiset’ nga gazetarët
Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino u paraqit sot në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas një ore, ajo refuzoi të prononcohej për gazetarët e pranishëm.
“Po jo re, tani ju lutem. Ore jo fare, kam ardhur për punë tjetër. Po jo ore tani ju lutem a jeni në vete, jo,”- tha Bino dhe u largua.
Bino ka mbajtur një sërë postesh drejtuese në Ministrinë e Shëndetësisë. E vetëm pak ditë më parë ishte SPAK në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u arrestua Sekretarja e Përgjithshme, Joana Duro dhe zyrtarja tjetër, Laureta Sheta. Të dyja akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Duro nuk e ka pranuar akuzën, dhe ka deklaruar se ka kryer vetëm detyrën.
Hetimi i udhëhequr nga prokurori Dritan Prençi, ka provuar se biznesmeni nga Lushnja që administron kompaninë e ndërtimit “Dricons”, Vladimir Topi ka paguar një shumë prej 3.3 milion lekë të vjetra tek sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, me qëllim fitimin e një tenderi me vlerë 8 milion lekë të vjetra. SPAK ushtroi kontrolle dhe në banesat e tyre, por nuk gjeti sende të paligjshme. Tenderi për të cilin thotë SPAK-u është zhvilluar në 22 Maj dhe i gjithë fondi limit i tij ishte 805 mijë e 872 lekë. Nga kjo llogari del se sekretarja e Përgjithshme e ministrisë mori rryshfet 41 për qind të fondit limit të tenderit.