Kosova
Osmani dhe Kurti takime me emisarin britanik
I dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit me presidenten Osmani, me dyer të mbyllura dhe larg gazetarëve, Peach ka diskutuar edhe me kreun qeveritar për situatën aktuale në vend dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Në Presidencën e Kosovës, emisari Peach ka shkuar i shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott dhe nuk janë dhënë hollësi për mediumet e Prishtinës.
Gjatë muajit janar Kosovën dhe Serbinë do t’i vizitojë edhe këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe ai i presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se vizita e tyre ka për qëllim caktimin e takimit të radhës të nivelit të lartë në Bruksel.