Connect with us

Kosova

Osmani propozon ‘zbatim unilateral’ të obligimeve nëse BE-ja konstaton se “s’ka marrëveshje” Kosovë-Serbi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke qenë se Serbia vazhdon ta pengojë avancimin në rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksit të Implementimit (18 mars, Ohër), ka propozuar që Kosova t’i zbatojë obligimet e dialogut në mënyrë unilaterale.

Osmani ka theksuar se nëse Bashkimi Evropian (BE) konstaton se “nuk ka marrëveshje” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë autoritetet kosovare duhet të ndjekin strategjinë e njëjtë sikurse në kohën kur e zbatuan në mënyrë të njëanshme planin e ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, mbi bazën e të cilit janë hartuar elemetet kryesore të shtetësisë së Kosovës.

“Unë mendoj se nëse BE-ja konstaton se nuk ka marrëveshje, të njëjtat detyrime duhet të ulemi e t’i diskutojmë në një plan të ri me partnerët tanë. Është e njëjta strategji që është ndjekur në vitet e para pavarësisë”- ka kujtuar presidentja kosovare, ndërsa në këtë “plan të ri” ka përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Serbia ka refuzuar që ta pranojë dhe ta implementojë [planin e Ahtisaarit], por ne e kemi implementuar pjesën tonë sepse kemi pasur marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar – që nëse e bejmë, do të kemi pavarësi, do të kemi njohje, do të kemi anëtarësim në organizata ndërkombëtare, do të kemi zhvillim ekonomik – dhe të gjitha kanë ndodhur”, ka treguar Osmani.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Kosova, ndërkohë, nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, apo që zbatimi i marrëveshjes të nisë nga themelimi i këtij mekanizmi, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që burojnë dialogu, kryesisht sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Kosovës.

Advertisement