Connect with us

Kosova

Osmani: Synoj mandatin e dytë si presidente

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se synon edhe një mandat tjetër si presidente e shtetit, duke bërë të ditur se pas formimit të institucioneve të reja do të nisë bisedime me partitë politike për mbështetjen e kandidaturës së saj.

Osmani në një intervistë me Radio Evropa e Lirë tha se vendimi për zgjedhjen e presidentit i takon Kuvendit të ri, por theksoi se, pavarësisht rezultatit, ajo do të vazhdojë angazhimin e saj politik.

“Synoj të vazhdoj angazhimin politik edhe nëse nuk zgjidhem presidente”, u shpreh ajo.

Presidentja bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë shqiptare, duke iu referuar edhe mbështetjes qytetare që, sipas saj, reflektohet në sondazhe.

“Do të bisedoj me të gjitha partitë shqiptare. Do të duhet që të ulemi të diskutojmë dhe të shihet nëse do të dëshirojnë që të dëgjohet vullneti i qytetarit i cili është i qartë. Në shumicën dërrmuese të matjeve shihet që diku 81% të qytetarëve dëshirojnë një mandat të dytë për mua. Do të shohim nëse deputetët dëshirojnë një materializim të këtij vullneti. Nëse deputetët nuk dëshirojnë dhe nuk kanë vullnet, unë do ta vazhdoj angazhimin tim politik”, ka deklaruar Osmani.

Ajo përsëriti se procesi i zgjedhjes së presidentit do të varet nga përbërja dhe vendimmarrja e parlamentit të ri, duke theksuar se angazhimi i saj në jetën politike të vendit nuk do të ndërpritet.
Advertisement