Connect with us

Kosova

Osmani takim me komandantin e NATO-s në Napoli: Të merren masa ndaj Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Admiralin Stuart B. Munsch. Në një komunikatë për media, presidenca ka bërë të ditur se Osmani e ka falënderuar admiralin për mbështetjen e NATO’s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe rajon pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim Admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Ajo e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe rajon, pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator.”

Më tej, thuhet se Osmani ka folur edhe për nevojën që të mirren masa konkrete kundër Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë. Osmani gjithashtu ka thënë që Serbia duhet t’i tërheq trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën.

“Presidentja Osmani theksoi nevojën e marrjes së masave konkrete kundër Serbisë pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist nga grupet paramilitare dhe kriminale të udhëhequra në terren nga Milan Radoičić dhe politikisht nga Aleksandar Vučić. Ajo nënvizoi se Serbia duhet t’i tërheq trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën pasi që ato përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.”

Osmani ka vlerësuar angazhimin e shtuar të KFOR’it dhe NATO’s për rritjen e sigurisë përgjatë kufirit Kosovë- Serbi.

“Ajo vlerësoi angazhimin e shtuar të KFOR-it dhe NATO-s, në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi dhe e konsideroi atë si veprim të nevojshëm për ta parandaluar përsëritjen e aktit të ndodhur më 24 shtator. Në takim, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë në mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të NATO-s, në ballafaqimin me sfidat e sigurisë në vend dhe rajon.” /GazetaExpress/

Advertisement