Kosova
Osmani: Traktat për mbrojtje të ndërsjelltë me Shqipërinë
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është koha për një traktat me Shqipërinë për të reaguar në rast të cenimit të dy shteteve.
Këtë Osmani tha se e diskutoi në Presidencë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin e priti në Prishtinë me nderime të larta shtetërore.
“Është me rëndësinë që me Shqipërinë, siç e diskutuam, të kemi një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona”, tha Osmani në një konferencë të përbashkët për media me Begajn.
Presidentja tha se kjo praktik “është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete”.
“Është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, tha ajo.
Kosova, siç tha presidentja Osmani, llogarit në Shqipërinë dhe ajo i tha Begajt se ka besim që nën udhëheqjen e tij do të intensifikohen marrëdhëniet ndërshtetërore.
“Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë. Në këtë kohë kur po sfidohet arkitektura e sigurisë, siguria është shndërruar në prioritet”, tha Osmani ndër tjerash.
Begaj, në anën tjetër, tha se Kosova dhe Shqipëria kanë të njëjtin vizion dhe bëjë të njëjtën rrugë. Ai foli për stabilitetin rajonal duke thënë se duhet punuar për ta mbajtur paqen, e cila tha se “është delikate”.