Kosova
Osmani: Vuçiç po i ofron Radoiçiçit infrastrukturë për sulme terroriste
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili kishte ngritur alarmin se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, si edhe ka paralajmëruar edhe për riorganizimin e grupit terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Srpska, Millan Radoiçiç, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po i mundëson atij të gjithë “infrastrukturën e mundshme”, për përgatitjen e sulmeve terroriste.
“Në vend që ta ekstradoj Radojçiçin, ai po i mundëson atij gjithë infrastrukturën e mundshme që të planifikoj sulme të reja ndaj Kosovës. Ne sigurisht që do të bashkëpunojmë me të gjithë aleatet dhe partnerët në mënyrë që sulmet e tilla të parandalohen”. –deklaroi Osmani, e cila në një konferencë të përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se kanë diskutuar edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tashmë i shpallur hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Osmani, si kërkesë kryesore tha se e ka vendosjen e masave ndaj Serbisë. Sipas saj, në rast se veprohet në këtë mënyrë duke mos u ndëshkuar Serbia, ajo do të vazhdojë me sulme të ngjashme terroriste.
“Anëtarësimi në NATO është qëllim i Kosovës. Përfshira në partneritetin për paqe, e pastaj edhe anëtarësimi në NATO është garanci për rajonin. Stërzgjatja e këtij procesi prodhon pasoja” – Potencoi presidentja e Kosovës.
Vizita e Stoltenbergut në Prishtinë, është një vizitë e rëndësishme në një momentum të ri gjeopolitik, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë dhe sidomos pas përpjekjeve të shtuara të Rusisë që nëpërmjet Serbisë të shtrijë ndikimin në këtë rajon të ngjeshur nga tensionet.