Aktualitet
Pacolli: Kam frikë se Rama nuk është informuar drejt për Aeroportin e Vlorës
Presidenti i MABCO-s, Behgjet Pacolli, ka ngritur shqetësime mbi mungesën e informacionit të saktë në nivelet më të larta të qeverisë lidhur me situatën e krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Në intervistën për Opinion biznesmeni ka lënë të kuptohet se bllokimi i projektit mund të jetë pasojë e një keqinformimi të Ramës për atë që ndodh në terren.
Megjithatë, ai shmangu një kritikë direkte ndaj kryeministrit, duke e vendosur përgjegjësinë më shumë te hallkat ndërmjetëse të administratës. “Nuk kam pretendime për z. Rama për arsye se ai është kryeministri ynë dhe ka detyra të tjera, por shpresoj që njerëzit rreth tij ta kenë informuar drejt”, tha Pacolli, përpara se të shtonte një dyshim të qartë: “por kam frikë se nuk është informuar drejt”.
Biznesmeni gjithsesi ngriti shqetësimin në studion e Opinion, se Rama duhet ta dijë që njerëzit e MABCO janë larguar me dhunë nga aeroporti. “Kam frikë se kryeministri nuk e di që unë prej tetorit nuk mundem me punu. A e di kryeministri që njerëzit e mi, që unë i paguaj, ndalen dhe nuk punojnë?”
MABCO ka denoncuar atë që e quan “shpronësim de facto” nga Aeroporti i Vlorës, nëpërmjet disa vendimeve të ndërmjetme të gjykatave që kanë prodhuar një situatë të tensionuar në terren. Deri më tani MABCO ka investuar gati 90 milion euro, por është përjashtuar nga aktiviteti në kantier dhe nga vendimmarrja në shoqërinë koncesionare, ndërkohë që mban peshën kryesore financiare të projektit.
Pacolli paralajmëroi gjithashtu se kompania që ai drejton ka kapacitete të brendshme për të verifikuar dhe hetuar zhvillimet kontraktore, në rast se situata nuk zgjidhet. “Nuk dua të spekulloj, por sinqerisht ju them që një kompani globale me 16 mijë njerëz kemi edhe një shërbim investigativ… ata investigojnë kontrata në gjithë botën”, deklaroi ai.
Deklaratat e Pacollit në Opinion, kur ai akuzoi gjykatat, policinë, mediat dhe administratën për ndërhyrjet në aeroport, përforcojnë tezën se ngërçi nuk është vetëm një konflikt mes aksionerësh, por një situatë ku kompania zvicerian ka përballë segmente të korruptuara të pushtetit.