Connect with us

Rajon

Pak BE dhe shumë Kosovë/ Temat e fushatës parazgjedhore në Serbi

“Bashkimi Evropian ka një imazh gjithnjë e më të keq në Serbi, ndaj “rruga evropiane” nuk është më atu i partive civile në fushatën zgjedhore. Kosova është sërish një nga temat kryesore, sepse e djathta aty po e nuhat shansin e saj. Dy javë para zgjedhjeve, është e qartë se çështja e “rrugës evropiane” të Serbisë nuk luan pothuajse asnjë rol në fushatë. Në anën tjetër, çështja e Kosovës është në krye të prioriteteve dhe as autoritetet nuk mund t’i shmangen, edhe sikur të duan” – Kështu është shprehur historiani dhe politologu serb, Stefan Radojkoviç.

“Çështja e Kosovës ka marrë një hapësirë ​​të madhe në fushatë, kryesisht për shkak se SHBA-të dhe BE-ja po “ushtrojnë presion” përmes një sërë marrëveshjesh në Bruksel dhe Ohër, duke thënë hapur se presin njohje de facto të pavarësisë së Kosovës” – theksoi historian serb për DW.

Sipas Stefan Radojkoviç, qeveria serbe u godit nga një “stuhi pothuajse e përsosur” që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Partitë e djathta dhe nacionale e kanë nuhatur këtë si një atu për të marrë pikë para zgjedhjeve.

“Nëse partitë e djathta ose konservatore morën disa vota vitin e kaluar për çështjen e luftës në Ukrainë – në të cilën Serbia nuk ka asnjë rol – çështja e Kosovës, është shumë më afër tyre si temë” – tha Radojkoviç.

Siç DW, rruga e Serbisë drejt BE-së po zgjat shumë dhe politikanët kryesorë nga BE-ja po kërkojnë haptazi njohjen de fakto të Kosovës.

Politologu Srđan Cvijić, një ekspert i mirë i Bashkimit Evropian dhe i procesit të anëtarësimit, tha se vetëm një “kamikaz politik” do ta çonte çështjen e anëtarësimit në BE në ballë të fushatës zgjedhore në Serbi.

“Sepse të gjitha mediat nën kontrollin e regjimit janë anti-BE dhe antiperëndimore. Çfarë do t’i sillte një partie opozitare nëse për këtë do të duhej të zvarritej në tabloidet e Vuçiçit?” – tha Cvijiç për DW.

Ca për shkak të qëndrimit të shteteve perëndimore ndaj Kosovës, e ca nga propaganda e regjimit dhe lodhja e përgjithshme nga “rruga evropiane” e përjetshme, Bashkimi Europian në sondazhe nuk ka qene kurrë më keq, teksa vetëm 39 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërsa 51 për qind e refuzojnë atë.

Advertisement