Politike
Paloka dhe sikleti me kandidatët e grupit Alibeaj
Deputeti demokrat Edi Paloka, i ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, foli për mos arritjen e marrëveshjes me përfaqësuesin e palës tjetër brenda PD, Gazment Bardhi, që në zgjedhjet lokale të hynin me një kandidat.
Paloka tha se ishte e pakuptimtë që kandidati fitues i primareve t’i nënshtrohej më pas sondazhit, dhe aty të dilte një kandidat tjetër.
I pyetur nga moderatorja Xhokaxhi se sa do të ndikojnë në vota dalja e dy kandidatëve të opozitës në zgjedhje, Paloka u shpreh se pavarësisht se grupimi tjetër ka zero peshë politike sërish prish punë.
Sipas tij kjo do të ndikojë moralisht si fillim pasi qytetarët do të thonë se këta kur nuk merren vesh me njëri-tjetrin pse duhet t’i votojmë, ndërsa numerikisht do të ketë ndikim në ato zona ku PD dhe PS ndahen ngushtësisht.
Pjesë nga biseda:
Paloka: Unë po. Jo vetëm i nisa me bindje por kisha përshtypjen që ne do të arrinim marrëveshje, madje u arrit marrëveshja edhe para se të ulesha me zotin BArdhi, pasi kam patur bisedime dhe me deputetë të tjerë. Zoti Rushaj ka qenë një nga ata, ne jemi miq, jemi kolegë kemi biseduar për një të mirë që i duhet PD-së. Ishin primaret ato që e prishën.
Xhokaxhi: Bardhi tha në këtë studio se kishte vetëm një pikë që e prishi primaret, pasi ne kërkuam edhe sondazh. Çfarë pune prishte të bëheshin sondazhet?
Paloka: Zëvendësimi i primareve me sondazhet ishte i papranueshëm, ky ishte propozimi i parë që erdhi.
Xhokaxhi: Bardhi tha edhe votim edhe sondazh.
Paloka: Në fund na erdhi propozimi 50 me 50. Por edhe kjo nuk është e pranueshme pasi nëse dikush fiton primaret dhe më pas humb në sondazhe kjo nuk ka vlerë. Të jem i sinqertë, unë edhe tek bardhi pashë vullnet për ta zgjidhur problemin, se çfarë ndodhi ditën e fundit nuk e di. Zoti bardhi më tha do mblidhet grupi, unë dua një përgjigje e shpejtë se do marrim një vendim. Pse duhej kaq e shpejt, kjo përgjigje? Në propozimin e tyre thuhej të ngriheshin grupe jashtë PD që të merreshin vendime për kandidatët me unanimitet. Unë i thashë edhe Bardhit se këto gjetjet se si ta bllokojmë këtë proces nuk më duket zgjidhje.
Xhokaxhi: Fakti që Alibeaj do dalë më vete në zgjedhje çfarë do të thotë?
Paloka: Ti shërbesh Edi Ramës.
Xhokaxhi: Në vota si përkthehet?
Paloka: Numerikisht ata mund të jenë realisht të papërfillshëm, p[ra aksionet e tyre kanë shkuar afër zeros politikisht. A dëmtojnë? Sigurisht që po, edhe numerikisht edhe moralisht. Moralisht pasi në psikologjinë e elektoratit ata do të thonë që këta janë të ndarë pse të votojmë. Numerikisht ndikojnë në zonat ku ne na ndajnë pak vota me PS. Në Durrës për 100 votat e LSI-së ne do kishim dalë 7 me 7 me socialistët.