Kronike
E frikshme, një pushuesi i rrezikohet jeta nga skafi
Me sa duket rreziku në det dhe në breg nga mjetet ujore vijon të mbetet permanent megjithëse një 7-vjeçare humbi jetën dy ditë më parë pikërisht për shkak të tyre. Ndërkohë që policia ka nisur një operacion të gjerë për kontrollin e tyre.
Në rrjetet sociale është shpërndarë së fundmi një video ku shihet se si një burrë i ka shpëtuar për pak vdekjes teksa një person bën një manovër të rrezikshme me skaf në vendin e mbushur me pushues.
Burri ishte duke notuar pranë bregut, ndërkohë që i afrohet një i ri me motor uji duke e kthyer atë në 180 gradë, gjë që ka rrezikuar seriozisht jetën e pushuesit.
Dy ditë më parë, polici Arjan Tase, ish-shef i Komisariatit të Himarës vrau aksidentalisht me skaf një 7-vjeçare në plazhin e Potamit. Dyshohet se skafi i Tases përdorej për trafik droge dhe e kishte në pronësi të tijën pavarësisht se me dokumente figuronte në emrin e dikujt tjetër.
Fillimisht AMP njoftoi se do të hetohej për “vrasje nga pakujdesia”, por prokuroria e Vlorës hodhi poshtë mbrojtjen e policëve ndaj kolegut të tyre duke e akuzuar për veprën penale “vrasje me dashje”.