Connect with us

Aktualitet

Pamjet e arratisjes së Altin Ndocit/ 6 sekonda i mjaftuan të ‘zhduket’ nga spitali i Durrësit

Janë publikuar pamjet nga momenti i arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali Infektiv i Durrësit. Në videot e siguruara nga Euronews Albania, ai shihet teksa vrapon me shpejtësi mes automjeteve të parkuara në ambientet e spitalit, duke u larguar nga fusha e kamerave të sigurisë.

Kamerat kanë fiksuar vetëm disa sekonda të momentit kritik, përpara se Ndoci të zhdukej pa lënë gjurmë.

Ngjarja ndodhi këtë të martë, kur Ndoci ishte shoqëruar nga dy efektivë të policisë së burgjeve për të kryer analiza dhe ekzaminime mjekësore. Sipas burimeve hetimore, gjatë kryerjes së procedurave, ai ka përfituar nga momenti dhe ka sulmuar efektivët që po e ruanin jashtë laboratorit, duke arritur të largohet.

Gjatë arratisjes raportohet se janë dëgjuar të shtëna me armë, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse ato janë kryer nga policia apo nga persona të tjerë që e prisnin jashtë.

Pas daljes nga spitali, Ndoci është drejtuar drejt një parkimi, ku e priste një Audi A7 e bardhë me targa AA700RS, me të cilën është larguar nga zona.

Policia ka nisur menjëherë kontrolle dhe postblloqe në akset kryesore Durrës–Tiranë dhe në rrugët lidhëse me qytete të tjera, ndërsa po hetohet edhe mundësia e përfshirjes së personave të tjerë në këtë arratisje të mirëorganizuar.

Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai është i akuzuar nga SPAK për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, që lidhet me masakrën e Bradasheshit ku u vranë vëllai i Endrit Alibejt, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk.

Ndoci është arrestuar në vitin 2020 dhe akuzohet gjithashtu për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, si edhe për ekzekutimin e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në Durrës.

Advertisement