Aktualitet
Pamjet e dhunshme pushtuan rrjetin/ Babai tërhiqte prej flokësh vajzën e mitur, përfundon në pranga

Ditën e djeshme, pamje të një qytetari që tërhiqte prej flokësh një vajzë të mitur në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Korçës, u bënë virale në rrjetet sociale.
Policia e Korçës ka reaguar përmes një komunikate ku thotë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë kryer veprimet procedurale dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në komisariat të shtetasve të shfaqur në video.
Nga deklarimet e dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore rezultoi që shtetasi që kishte kapur prej flokësh vajzën e mitur ishte babai i vajzës.
Në përfundim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. U., 33 vjeç, shtetas holandez, për veprën “Keqtrajtimi i të miturit”.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë falënderon median dhe qytetarët për denoncimin e rasteve të tilla, si dhe i fton të vijojnë t’i denoncojnë për çdo rast dhune që shohin, apo paligjshmërie.

