Politike
Panairi i Punës në Greqi/ Rama thirrje shqiptarëve: Ejani të llafosemi…

Kryeministri Edi Rama, ka rikujtuar edhe njëherë se ditën e nesërme do të mbahet Panairi i Punës në Greqi, ku i pranishëm do të jetë dhe vetë kreu i qeverisë.
Në një reagim në rrjete sociale, Rama shprehet se nesër në Athinë “do të shkojë” Shqipëria që për herë të parë ka mundësinë që t’u thotë emigrantëve shqiptarë që të kthehen në vendin e tyre, ku tashmë u jepet mundësia sipas tij për kontrata pune me paga të mira dhe taksa të ulëta.
Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë nesër në panair, ku thotë se do të ketë shkëmbime bisedash mes sipërmarrësve të fushave të ndryshme.
“Rrugës për Greqi sot, nesër në Panairin e Punës në Athinë. Dje shqiptarët shkuan për të gjetur një punë matan kufirit, nesër Shqipëria sipërmarrëse do të shkojë për t’u treguar për punët që mund të gjejnë këtej kufirit. Kjo është hera e parë që Shqipëria e punës troket në derën e shqiptarëve të Greqisë për t’u thënë ‘ejani, kam punë për ju, me paga të arsyeshme dhe me taksa të ulëta’. Eja dhe kaloni të shihemi dhe të llafosemi nesër më sipërmarrës të fushave të ndryshme, për t’ju njohur nga afër për mundësitë dhe kushtet e kontratave të punës në Shqipëri, pastaj gjykoni vetëm me qetësi dhe si të jetë më mirë për ju”, shprehet Rama.

