Bota
Papa Françesku do të bekojë dhe do të përshëndesë nga spitali besimtarët gjatë meshës së të dielës

Papa Françesku do të përshëndesë dhe do të bekojë të dielën, gjatë meshës që mbahet në Vatikan, nga spitali “Gemelli” i Romës, besimtarët në mbarë botën. Kjo është dalja e parë publike e tij, pas pesë javësh i shtruar si pasojë e pneumonisë bilaterale.
Papa Franesku, 88-vjeç është parë nga publiku vetëm një herë që kur u shtrua në spital më 14 shkurt, në një fotografi të publikuar nga Vatikani javën e kaluar, e cila e tregonte atë duke u lutur në një kishëz spitalore.
Vatikani tha të premten se gjendja e Papës po përmirësohet, por një zyrtar tha se ai mund të duhet të “mësojë të flasë” pas përdorimit të zgjatur të terapisë me oksigjen të lartë.
“Papa po ecën shumë mirë, por oksigjeni me rrjedhje të lartë i thahet gjithçka. Ai duhet të mësojë përsëri se si të flasë, por gjendja e tij e përgjithshme fizike është si më parë,” tha të premten kardinali Victor Fernandez, raportoi Reuters.
Vatikani shtoi se gjendja e Papës ishte e qëndrueshme, me disa përmirësime në frymëmarrje dhe lëvizshmëri. Ai konfirmoi se ai nuk përdor më ajrosje mekanike për të marrë frymë gjatë natës, por në vend të kësaj merrte oksigjen përmes një tubi të vogël nën hundë. Gjatë ditës, ai përdor më pak oksigjen me rrjedhje të lartë.
Mjekët nuk kanë dhënë asnjë indikacion në lidhje me daljen e tij nga spitali, tha Vatikani. Në fillim të këtij muaji, një regjistrim audio i Papa Françeskut duke folur në spanjishten e tij amtare u luajt në sheshin e Shën Pjetrit në qytetin e Vatikanit. Zëri i tij ishte pa frymë teksa falenderonte besimtarët katolikë për lutjet e tyre.
Kardinali, i cili është kreu i zyrës doktrinale të Vatikanit, hodhi poshtë spekulimet se Papa do të ndiqte paraardhësin e tij Benedikt XVI dhe do të jepte dorëheqjen nga papati.
Kur u pyet nëse ai mendonte se Papa mund të lirohej në kohë për Pashkën që bie më 20 prill, kardinali tha se nuk e dinte. Papa Françesku ka kaluar gati 12 vjet si udhëheqës i Kishës Katolike Romake.

