Papa përshëndeti njerëzit në shesh dhe u lut para figures së Virgjërës Mari, që njihet edhe me emrin Zoja e Shkodrës.
“Kam dashur shumë të vija këtu, në këto ditë të para të Shërbesës së re që më dorëzoi Kisha, për të çuar përpara misionin si Pasardhës i Pjetrit.
Për daljen e tij të parë të palajmëruar, Papa Leoni XIV zgjodhi një vend simbolik tejet të dashur për shqiptarët, shenjtëroren e Nënës së Këshillit të Mirë në Gjenancan, jashtë Romës, ku ndodhet fugurja e Zojës, ardhur nga Shkodra e pritur pikërisht nga augustinianët, që shërbejnë në atë kishë, në urdhërin e të cilëve bën pjesë edhe Ati i Shenjtë. Papa mbërriti sot pasdite, rreth orës 16.00.
Të gjithë e dinë historinë e ikjes së Zojës nga Shkodra për t’u shpëtuar otomanëve, duke ardhur në Gjenacan, ku augustinianët i kushtuan kishën e ku shtegtojnë çdo vit besimtarë katolikë shqiptarë nga gjithë Italia e nga të gjitha anët e botës.
Jo më larg se më 25 maj, të dielën e fundit të muajit, siç është tashmë traditë, shqiptarët do të shkojnë sërish në shtegtim të Zoja për ta kaluar ditën bashkë me të, me meshën në orën 12.30 të kremtuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta.
Kujtojmë se fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë ishte veçanërisht e dashur për paraardhësin me të njëjtin emër të Papës aktual, për Papën Leoni XIII, i cili nuk arriti ta vizitonte kurrë, por që në vitin 1903 e ngriti kishën në dinjitetin e një bazilike minore.
Edhe Papë të tjerë kanë shkuar për t’u lutur te Nëna e Këshillit të Mirë: Papa shenjt Gjoni XXIII në vitin 1959 dhe Papa shenjt Gjon Pali II në vitin 1993, para se të nisej për në Shqipëri, ku pikërisht në Shkodër çoi kopjen e fugures së Zojës.
Papa Leoni XIV pati shkuar herën e fundit si kardinal, më 25 prill 2024, për të kremtuar festën e “Ardhjes” së Nënës së Këshillit të Mirë në Gjenacan. Në homelinë e tij, kardinali i atëhershëm Prevost shprehu përkushtimin e ndaj Virgjërës, duke u bërë thirrje besimtarëve që të frymëzohen nga Maria për të përhapur paqen dhe pajtimin në botë.
Përshëndetja e njerëzve dhe lutja për Zojën
Sot pasdite, Papa Leoni XIV mbërriti me një makinë Volkswagen, i ulur në sediljen e përparme; u përshëndet nga një turmë brohoritëse me qindra njerëz, që u mblodhën menjëherë në shesh, ose shikonin nga dritaret dhe ballkonet. Pasi hyri në kishë, ku përshëndeti besimtarët, Papa u ndal për t’u lutur, fillimisht para altarit dhe më pas para fugures së Nënës së Këshillit të Mirë. Me të pranishmit, tha lutjen e Gjon Palit II drejtuar Nënës së Këshillit të Mirë.
Në duart e Shën Marisë
Së fundi, pas lutjeve “Falemi Mari” dhe “Të falemi Mbretëreshë”, Papa iu drejtua të pranishmëve në kishë, duke i përshëndetur ata dhe popullin e Gjenacanit të mbledhur jashtë: “Desha shumë të vija këtu në këto ditë të para të shërbesës së re, që më besoi Kisha, për të çuar përpara këtë mision si Pasardhës i Shën Pjetrit”.
E duke kujtuar vizitën e bërë pas zgjedhjes së tij si epror i përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, dhe dëshirën për t’ia “ofruar jetën Kishës”, Leoni XIV theksoi “besimin në Nënën e Këshillit të Mirë”, shoqe udhe e “dritës, urtisë”, me fjalët që shën Maria u tha shërbëtorëve në Dasmën e Kanës, përmendur në Ungjillin sipas Gjonit: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Më pas, Papa e krejt bashkësia e augustinianëve shkoi në një sallë të brendshme për një takim privat.
Ja lutja e shën Gjon Palit II për Nënën e Këshillit të Mirë, shqiptuar sot nga Papa Leoni XIV:
O Virgjër e Këshillit të Mirë
Ty të lartohet lutja e popullit të krishterë, që gjithmonë të do dhe të nderon.
Sot, ty t’i beson shpresat dhe hidhërimet, dëshirat dhe nevojat,
lotët e shumtë të derdhur dhe etjen për një të ardhme më të mirë.
Ktheje, o Nënë, vështrimin tënd mbi këtë popull,
pranoja ndjetet bujare, shoqëroje në rrugëtimin drejt një ardhmërie në drejtësi, solidaritet dhe paqe.
Ti, o Nënë, që e njeh rrugën e jetës dhe e di mirë ç’dëshiron zemra e njeriut,
nuk i jep atij ideologji të gabuara dhe kalimtare, por personin e Birit tënd Jezus – Rruga, e Vërteta dhe Jeta,
nga i cili rrezatohet misteri i Zotit dhe i njeriut.
O Nëna e Këshillit të Mirë, hapi mendjet dhe zemrat,
siguroja mbarë njerëzimit dhuratën e harmonisë dhe të paqes.
Amen.