Connect with us

Bota

Para zgjedhjeve/ Analiza e DW: Jo shumë mbështetje për BE mes gjermanëve

Janë zgjedhjet më të mëdha demokratike në botë, po të lemë mënjanë Indinë. Rreth 450 milionë qytetarë në BE janë të thirrur të votojnë më 9 qershor për parlamentin e ri me 720 deputetë. Prej javësh aktivistët janë në rrugë për të promovuar politikën e partive të tyre, por shumë vetë nuk janë të interesuar. Katër nga 10 votues nuk do të shkonin të votonin në qershor për Parlamentin Europian. Kjo del nga një sondazh për trendin gjerman i televizionit publik gjerman, ARD.

Sipas të dhënave të sondazhit, opozita e CDU/CSU në Gjermani ka shansin të jetë forca kryesore në zgjedhjet europiane. Me rreth 29% rezultati, sipas sondazhit, nuk do dallonte shumë nga zgjedhjet e para 5 viteve, por megjithatë opozita kryeson. Kurse socialdemokratët arrijnë vetëm 15% në sondazhe, Të Gjelbrit 14% dhe partia liberale, FDP vetëm 4%. Partitë e koalicionit arrijnë rezultat shumë më të dobët se në zgjedhjet europiane në vitin 2019. Partia e re Aleanca Sahra Wagenknecht arrin menjëherë 6% në sondazh. Të majtët arrijnë vetëm 3%.

Klima dhe mbrojtja e mjedisit humbasin rëndësinë

Lidhur me pyetjen, se cila është tema më e rëndësishme për vendimin e votimit për një parti të caktuar, të anketuarit përmendin kësaj here paqen, temat sociale dhe imigrimin. Renditja e çështjeve më shqetësuese qytetarët gjermanë kështu ka ndryshuar nga ajo para pesë vjetësh. Para një gjendjeje të ndryshuar të kërcënimit të sigurisë, sigurimi i paqes merr një rëndësi të veçantë për votuesit duek arritur 26%. Rëndësi ka fituar edhe siguria sociale, çdo i katërti votues do të orientohej për votimin tek siguria sociale. Përkundër kësaj tema e klimës dhe mjedisit ka humbur rëndësinë, krahasuar me vitin 2019, kur ishte tema kryesore mes të anketuarve. 14% i japin rëndësi kësaj teme në voti

 

 

Humb entuziazmi për BE

Në vitin 2019 mes gjermanëve BE vlerësohej më pozitivisht se aktualisht. Vetëm katër nga dhjetë qytetarë gjermane janë tani të mendimit, se të qenurit pjesë e BE sjell avantazhe për Gjermaninë. Për 19% të qenurit vend anëtar sjell më shumë disavantazhe. Nëse para pesë vjetësh 55% e qytetarëve të anketuarve ishin për thellimin e integrimit brenda-europian dhe dhënien e më shumë kompetencave tek BE, sot janë vetëm 48%. Shumë vetë e shohin me pesimizëm të ardhmen e BE.

Studiuesit e opinionit kanë dashur të dinë se si e vlerësojnë votuesit presidenten e Komisionit Europian, gjermanen, Ursula von der Leyen, kandidate e Partive Popullore Europiane për një mandat të ri. Rezultatet e sondazhit tregojnë, se mbështetja për von der Leyen nuk është shumë e madhe. Katër nga 10 të anketuar i mbështesin ambiciet e von der Leyen si presidente e KE, mes tyre shumica nga radhët e CDU/CSU, por edhe socialdemokratët e Të Gjelbrit. Por ka edhe shumë qytetarë me të drejtë vote që e refuzojnë një mandat të ri të saj.

Videoja me tone raciste në Sylt jo rast i vetëm

Zhvilluesi i sondazheve, Infratest-dimap ka hedhur një vështrim edhe në atmosferën e përgjithshme në Gjermani: Për këtë janë pyetur në mënyrë përfaqësuese 1479 qytetarë. Aktualisht shkaktoi zemërim në Gjermani një video e shkurtër gjatë një party në ishullin gjerman Sylt, ku disa të rinj këndonin nën hitin e Gigi D’Agostions, “Gjermania gjermanëve”, “Jashtë të huajt”. Ndërkohë është bërë e qartë, se kjo video nuk ka qenë e vetmja. Edhe në raste të tjera janë dëgjuar nën këtë melodi tone raciste.

Trendi gjerman tregon, se ky fenomen i shqetëson gjermanët. Vetëm përkrahësit e AfD-së, 75% e të anketuarve aty uk shprehen me shqetësim për tonet raciste në video.

AfD gjen mbështetje për temën e azilit dhe refugjatëve

Nëse të dielën e ardhshme do të zhvilloheshin zgjedhje në Gjermani, AfD do të merrte 18% të votave, 4% më pak se në fillim të vitit. Dy të tretat e qytetarëve e shohin AfD si kërcënim për demokracinë në Gjermani. Një numër në rritje i qytetarëve e akuzon këtë parti se mban shumë ekstremistë të djathtë në radhët e saj. Në të njëjtën kohë 44% e të anketuarve gjermanë e vlerësojnë pozitivisht që AfD, kur ajo kërkon të kufizojë ardhjen e të huajve dhe refugjatëve në Gjermani-

Qeveria e koalicionit në Berlin vazhdon të vlerësohet negativisht. 74% e të anketuarve nuk janë të kënaqur me punën e socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve, FDP. Nga ana tjetër vetëm çdo i pesti i anketuar ka besim, se opozita e CDU/CSU do t’i zgjidhte më mirë problemet aktuale të vendit.

Advertisement