Connect with us

Bota

Paralajmërimi i Lavrov ndaj SHBA: Po shkojmë drejt rendit botëror shumëpolar

Shtetet e Bashkuara do të përballen me “pasoja të rrezikshme” nëse vazhdojnë me rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën në vend që të mbështesin një zgjidhje të propozuar nga Rusia, sipas të cilës Moska do të kishte nën kontroll një pjesë të territorit ukrainas.

Paralajmërimi bëhet nga ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në një intervistë për median amerikane Newsweek .

Më shumë se dy vjet e gjysmë pasi Putini urdhëroi një “operacion special ushtarak” kundër Ukrainës në atë që është bërë konflikti më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se Kremlini ofron një plan të zbatueshëm, i quajtur si arkitektura e sigurisë së kontinentit, për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe rindërtimit. Ai akuzoi aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA se fillimisht mbolli farat e luftës një dekadë më parë dhe vazhdoi të ndezë flakët.

“Rusia është e hapur për një zgjidhje politiko-diplomatike, përmes të cilës, i jepet fund shkaqeve rrënjësore të krizës”, tha ai, duke shtuar se “synimi vshtë t’i jepet fund konfliktit në vend që të arrihet një armëpushim.”

Plani i Rusisë nënkupton që Ukraina të heqë dorë nga provincat kryesisht ruse të Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia, të cilat u aneksuan zyrtarisht nga Moska pas një referendumi të kontestuar ndërkombëtarisht në shtator 2022, si dhe Krimenë, të pushtuar nga Rusia dhe të aneksuar përmes një votimi të ngjashëm në 2014. Kievi gjithashtu duhet të pranojë të braktisë përpjekjen e tij për t’u bërë anëtar i NATO-s dhe të ndërmarrë hapa të tjerë të refuzuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe mbështetësit e tij ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në.

Në vend të kësaj, Kievi dhe mbështetësit e tij të huaj kërkojnë një tërheqje të pakushtëzuar ruse, ndërsa Moska ka thënë se një konflikt i përshkallëzuar e sjell NATO-n më afër një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Rusinë, e cila zotëron stokun më të madh në botë të armëve bërthamore.

“Për momentin, me sa mund të shohim, rivendosja e paqes nuk është pjesë e planit të kundërshtarit tonë. Zelensky nuk e ka anuluar dekretin e tij për ndalimin e negociatave me Moskën”, tha Lavrov. Sipas tij, “Uashingtoni dhe aleatët e tij të NATO-s ofrojnë mbështetje politike, ushtarake dhe financiare për Kievin në mënyrë që lufta të vazhdojë”.

“Ata po diskutojnë autorizimin e AFU-së [Forcat e Armatosura të Ukrainës] për të përdorur raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi për të goditur thellë në territorin rus.’ Loja me zjarrin në këtë mënyrë mund të çojë në pasoja të rrezikshme”, paralajmëroi kryediplomati rus.

Masat e kërkuara nga Moska, tha Lavrov, përputhen me trajektoren e një bote që ndryshon me shpejtësi, në të cilën Rusia ka krijuar një partneritet të thellë me Kinën dhe ka forcuar lidhjet me vendet në zhvillim që kërkojnë një rol më të madh në skenën globale. Edhe pse Moska ka kosto, ai tha se Kievi dhe mbështetësit e tij do të humbasin më shumë në një luftë të gjatë.

“Ajo që ne kemi parasysh është se rendi botëror duhet të përshtatet me realitetet aktuale. Sot bota po përjeton ‘momentin multipolar’. Kalimi drejt rendit botëror shumëpolar është një pjesë e natyrshme e ribalancimit të pushtetit, i cili reflekton ndryshime objektive në ekonominë botërore, financat dhe gjeopolitikën. Perëndimi priti më shumë se të tjerët, megjithatë ka filluar të kuptojë se ky proces është i pakthyeshëm”, tha ai.

Deklaratat e Lavrov vijnë pasi ushtria ruse përparon në disa fronte kyçe të Ukrainës, pavarësisht se njëkohësisht u përball me një sulm ukrainas brenda vetë Rusisë.

Vendimtar për rrjedhën e luftës mund të jetë rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 5 nëntor midis zv.Presidentes Kamala Harris dhe ish-Presidentit Donald Trump. Mbështetja për Ukrainën ka qenë objekt i grindjeve politike në kryeqytetet perëndimore dhe jo më pak në Uashington, i cili ka dhënë ndihmën më të madhe të drejtpërdrejtë.

“Në përgjithësi, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk ka asnjë ndryshim për ne, pasi të dy partitë kanë arritur një konsensus për të kundërshtuar vendin tonë”, tha Lavrov.

“Në përgjithësi, do të ishte e natyrshme që banori i Shtëpisë së Bardhë, pavarësisht se kush do të jetë, të merret me biznesin vendas, në vend që të kërkojë aventura dhjetëra mijëra milje larg brigjeve amerikane. Unë kam besim se zgjedhësit amerikanë mendojnë të njëjtën gjë”, tha ai.

Advertisement