Rajon
Paralajmërimi për bllokadën totale të studentëve/ Vuçiç: Ju lutem, mos e shkatërroni Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe që të mos e shkatërrojnë Serbinë, sepse, siç theksoi ai, ata nuk mund ta mposhtin dot.
“Për fat të keq, ata që nuk e duan Serbinë – dhe ka të tillë jashtë por edhe brenda vendit tonë – kanë vendosur t’jua hidhërojnë jetën të gjithëve. Kanë vendosur të bllokojnë rrugët drejt punës, jetën normale, ndjesinë e lirisë në vendin tuaj, në shtëpitë dhe vendet tuaja të punës. Kanë paralajmëruar bllokada të plota në disa qytete, përfshirë Beogradin” – deklaroi ai në një video mesazh të publikuar në platformën sociale, Instagram dhe theksoi se shteti dëshiron të lejojë çdo liri tubimi dhe shprehjeje.
“Por këtë lloj dhune, shteti nuk mund dhe nuk guxon ta lejojë, sepse atëherë nuk është më shtet. Atëherë shteti pushon së ekzistuari” – deklaroi presidenti serb.
Bllokadat e protestave në qytete anembanë Serbisë filluan pasi studentët bënë thirrje për mosbindje civile pas një proteste në Beograd më 28 qershor. Dhjetëra studentë dhe protestues antiqeveritarë janë arrestuar deri më tani në operacionet policore për të thyer bllokadat.
Shumica e studentëve kërkuan zgjedhje të reja në maj, pasi organizuan demonstrata të mëdha dhe bllokada të fakulteteve në të gjithë vendin, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 personave në shembjen e tendës së stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor.

