Kosova
Paralajmërimi për hapjen e urës së Ibrit, Lista Serbe: Veprim destabilizues dhe i papranueshëm
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka reaguar pas paralajmërimit të Zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, se shumë shpejt do të hapet ura mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën e Jugut me atë Veriut.
Ashtu edhe siç pritej, përmes një komunikate për media, nga partia që dirigjohet totalisht nga Beogradi zyrtar, kanë thënë se një veprim i tillë është i papranueshëm, dhe, sipas tyre, përshkallëzon situatën.
“Njoftimi i regjimit të Albin Kurtit se planifikon të hapë urën kryesore të qytetit në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve është një veprim absolutisht i panevojshëm, i papranueshëm dhe përshkallëzues që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”, kanë propaganduar nga kjo listë.
Në të njëjtën kohë, sipas partisë që kontrollohet nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, “kjo do të ishte një lëvizje tjetër e njëanshme që asnjë serb në Veri të Kosovës nuk do ta mbështeste, gjë që do të nxehte më tej tensionet dhe do të krijonte situata për vazhdimin e sulmeve me motive etnike ndaj serbëve”.
“Kujtojmë se situata aktuale është pjesë e marrëveshjes që u arrit në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe në të njëjtën kohë theksojmë se qarkullimi aktual nga pjesa jugore në Veri të qytetit është normale nga katër drejtime, mbi tre ura dhe një rrugë lokale, dhe nuk ka nevojë për ura që përfaqëson një pikë sigurie nevralgjike ku ka pasur qindra incidente ndëretnike dhe pothuajse një mijë inkursione të dhunshme nga jugu në Veri, të hapet në këto momente”.
Nga kjo listë i kanë bërë thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe përfaqëseusve evropianë “që ta parandalojnë Kurtin që të shkaktojë një krizë tjetër dhe të pengojnë planin e tij për dëbimin e serbëve nga Kosova”.
“Ju ftojmë të reagoni urgjentisht dhe t’i tregoni publikisht regjimit në Prishtinë se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”, theksohet ndër të tjera në njoftimin e kësaj partie.
Ura mbi lumin Ibër, pas luftës në Kosovë, e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore që banohet me shumicë shqiptare dhe në atë Veriore, të banuar me shumicë serbe.