Connect with us

Kosova

Paralajmërohet stuhi lufte, Gerald Knaus për kushtëzimin e Kosovës në KiE 

Eksperti evropian që udhëheq Nismën Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, ka thënë se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, do të ishte gabim dhe do të bënte të pamundur realizimin e asnjërës prej tyre.

Këto komente, Knaus i ka bërë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, në një kohë kur shtetet perëndimore, posaçërisht Franca dhe Gjermania, janë duke kërkuar nga Kosova që të bëjë progres në raport me Asociacionin në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim në KiE.

Po u lidhën këto dy çështje, Asociacioni me anëtarësimin në Këshill të Evropës, ju garantoj se asnjëra prej tyre nuk do të realizohet. Një rezultat i tillë do të ketë pasoja të rënda, shumë të dëmshme për pakicat, sepse Këshilli i Evropës ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të pakicave, qasjes në Gjyqin Evropian të të Drejtave të Njeriut”- ka deklaruar Knaus.

Në vlerësimin e tij, Asociacioni është kurth i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe gjithashtu një “manovër efektive”.

“Për Vuçiçin, Kosova duhet ta themelojë asociacionin, por çfarëdo që ata të themelojnë, Serbisë nuk do ti pëlqejë dhe do ta refuzojë. Ajo që do Presidenti Vuçiç është një Republikë Serbe, në fakt ai do më shumë se një Republikë Serbe” – deklaroi Knaus

Sipas tij, kreu serb ka arritur të krijojë një situatë ku Qeveria e Kosovës “do të bllokohet për diçka që ai, apo më me rëndësi komunat, nuk e kanë vënë mbi tryezë”.

“Ky është një dështim i vërtetë i diplomacisë ndërkombëtare”, beson Knaus.

Kujtojmë se Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim – kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Dy javë më parë Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

NTV Televizion, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

 

Advertisement