Connect with us

Aktualitet

‘Parandaloni krimet elektorale’/ 3 ditë para zgjedhjeve, Proda urdhëron drejtorët e qarqeve

3 ditë para zgjedhjeve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, ka zhvilluar një takim me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë, drejtorët e drejtorive për kufirin dhe migracionin dhe drejtorët e departamenteve.

Takimiështë zhvilluar me qëllim rritjen e parametrave të rendit dhe të sigurisë në vend gjatë përmbylljes së fushatës elektorale, procesit të votimit dhe deri në përfundim të të gjithë këtij procesi.

Proda ka kërkuar nga drejtorët që të qëndrojnë në krye të shërbimeve pëe të parandaluar çdo krim zgjedhor.

“Jemi përpara disa sfidave shumë të rëndësishme për imazhin e vendit, ndaj kërkoj nga gjithsecili, më shumë angazhim dhe përkushtim, që këto sfida t’i përballojmë me sukses dhe të përligjim besimin që qytetarët kanë te Policia e Shtetit.

Zbatoni ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, duke qëndruar të baraslarguar nga subjektet politike, si deri tani. Reagoni në kohë dhe me profesionalizëm, mos neglizhoni asnjë konflikt, sado i vogël apo i parëndësishëm qoftë në dukje, ndiqni në dinamikë çdo shqetësim të adresuar nga qytetarët apo nga përfaqësues të subjekteve politike dhe trajtojini ato ligjërisht, në bashkëpunim me Prokuroritë respektive.  Punoni me inteligjencë policore, për të parandaluar dhe goditur krimet elektorale.

Strukturat e Policisë të vijojnë monitorimin intensiv të rrjeteve sociale, për evidentuar shkeljet ligjore që cenojnë procesin zgjedhor dhe të identifikojnë shtetasit përgjegjës.

Porositni shërbimet që pavarësisht rrethanave apo situatave me të cilat mund të përballen, asnjëherë të mos harrojnë se janë punonjës police dhe të vetmen armë mbrojtëse kanë – ligjin, ta zbatojnë me gjakftohtësi, profesionalizëm dhe përtej çdo paragjykimi.   Merrni masa që punonjësve të Policisë, pavarësisht planëzimit me shërbim, t’iu krijohet mundësia që të votojnë si çdo qytetar i këtij vendi.

Paralelisht me këto masa, në pikat e kalimit kufitar, të merren masa për të lehtësuar lëvizjen e shtuar të automjeteve dhe të qytetarëve, gjatë ditëve në vijim. Gjithashtu, të shtohen kontrollet në kufrin jeshil dhe në automjetet që do të kalojnë kufirin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Së fundi, Tirana, Elbasani, Durrës dhe Vlora, të koordinojnë veprimet me Departamentin e Rendit dhe Sigurisë, me Drejtorinë e Policisë Rrugore, Akademinë e Sigurisë dhe me Policitë Bashkiake, me qëllim që masat e marra të zbatohen me korrektësi në terren, për të mundësuar që aktiviteti ndërkombëtar “Giro d’Italia”, me impakt të madh për vendin, të zhvillohet në kushte të sigurta përsa i përket detyrave të Policisë, pavarësisht angazhimit dhe përkushtimit që Policia ka për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor, në zbatim të ligjit dhe të Kodit Zgjedhor”-tha Proda.

Advertisement