Connect with us

Aktualitet

Pas një muaj sakrifice dhe devotshmërie, besimtarët myslimanë në gjithë vendin kremtojnë sot përkushtimin e tyre ndaj Zotit!

Pas një muaj sakrifice dhe devotshmërie myslimanët sot kremtojnë përkushtimin e tyre ndaj Zotit.

Kukës/ Edhe pse mëngjesi i sotëm ishte me reshje shiu, qindra besimtarë myslimanë në Kukës falën namazin e Fitër Bajramit në xhaminë kryesore të qytetit të Kukësit.

Pas faljes së Fitër Bajramit besimtarët përcollën urimet më të mira për këtë ditë të shënuar të besimit islam, duke kërkuar edhe zgjerimin e xhamisë.

Ndërsa myftiu i qytetit Emirjon Vathaj tha se kjo ditë shënon një nga  ditët më të bukura të kalendarit islam. Bashkia Kukës ka numrin më të madh të besimtarëve mysliman në vend, ku 97% e popullsisë i takojnë besimit islam.

Elbasan/ Mijëra besimtarë në Elbasan falën Fiter Bajramin, ditën më të rëndësishme në kalendarin islam. Ligjërata publike  u mbajt nga myftiu Agim Duka i cili përpos urimit të kësaj ditë, në këtë vit zgjedhor bëri apel për ndershmërinë e votës dhe mos shitjes e saj.

“Vota është amanet. Zgjedhjet janë një festë demokratike, një shprehje e vullnetit të popullit dhe duhet të jenë të pastra nga çdo ndotje. Le të orientohemi nga virtyti dhe përgjegjësia, të mos e shesim vullnetin tonë, të mos e blejmë ndërgjegjen e tjetrit. Të mos lejojmë që lista dhe përfaqësimi të matrapazohen, por të jenë në shërbim të së mirës së përbashkët”, tha ai.

Pas faljes së Fiter Bajramit komuniteti mysliman hap dyert e pritjes ku nuk mungojnë urimet nga përfaqësues të besimeve të tjera fetare si shembulli më i bukur i bashkëjetesës fetare.

Bulqizë/ Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Bulqizë pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, qindra besimtarë myslimanë të rrethit të Bulqizës, mëngjesin e sotëm kanë kryer ritin e faljes së Fiter Bajramit.

Riti i faljes u drejtua nga Myftiu i xhamisë së Bulqizës Sejdin Strazimiri. Në fjalën e tij Strazimiri u shpreh  se “sot është dita në të cilën festojmë, dhe se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij”.

“Duhet të përmisojmë veten tonë dhe se kjo ditë kjo ditë është dita e shpërblimit për të gjithë ata që e respektuan dhe e mbajtën këtë muaj të Ramazanit. Por që të jesh i mirë nuk është vetëm agjërimi, por të besh mirësi gjithë vitin. Është dita ku duhet t’i lëmë mëritë dhe idhnitë ndaj njëri-tjetrit, është dita ku duhet të shtrim dorën e pajtimit pasi kohët e fundit ka ftohësi mes njerëz”, tha ai në mesazhin e tij.

Lushnje/ Më qindra besimtarë myslimanë kanë kryer faljen e Namazit mëngjesin e sotëm në sheshin kryesor të qytetit. Pas muaji të gjatë të agjërimit ata sot festojnë Fiter Bajramin. Ne fjalën e tij përpara Besimtarëve Myslimanë myftiu Gramoz Blliku uroj besimtarët dhe bëri thirrje për sa më shumë harmoni dhe dashuri për të gjithë besimtarët.

Durrës/ Mijëra besimtarë myslimanë të Durrësit, ashtu si në mbarë botën, festojnë sot Bajramin e Madh. Namazi i Fiter Bajramit u fal në xhaminë e madhe të qytetit dhe sheshin para saj, si dhe në xhamitë e tjera të Durrësit, ku besimtarët u mblodhën për të kryer këtë rit të rëndësishëm fetar.

Imam Ervin Qylafku përcolli mesazhet e kësaj dite festive për të gjithë besimtarët duke uruar që Allahu të ua ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe veprat e mira gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Pas faljes, besimtarët shkëmbyen urime, duke shpresuar për mëshirë, begati dhe pranim të agjërimit e sakrificave nga Zoti. Gjatë ditës, besimtarët vijojnë traditën e vizitave dhe urimeve të ndërsjella, duke e kthyer këtë festë në një moment bashkimi dhe gëzimi familjar.

Shkodër/ Mesazhin e tij në festën e Fitër Bajramit, myftiu i Shkodrës e kishte për të rinjtë. Imam Muhamed Sytari kërkoi pendim të sinqertë tek Zoti. Ai tha se mëshira e Zotit është më e madhe se gjynahet tona. Myftiu i Shkodrës theksoi se duhet të parandalojmë të keqen në familjet dhe shoqëritë tona, si edhe kërkoi distancim nga haramet.

Një mesazh e kishte edhe për Gazën, ku tha se zullumi nuk e ka jetën e gjatë, pasi Zoti sheh gjithçka. Falja e namazit të Fitër Bajramit u organizua në xhamitë e qytetit të Shkodrës.

Vlorë/ Një mëngjes i mbushur me besim dhe paqe! Agimi i sotëm e gjeti Vlorën të mbushur me atmosferën e shenjtë të Fitër Bajramit. Besimtarët, të shumtë në numër, u mblodhën për të kryer faljen e kësaj feste të bekuar. Për shkak të restaurimit të Xhamisë së Plumbit, ceremonia u zhvillua në Pallatin e Sportit, i cili u mbush plot me besimtarë të devotshëm.

Ceremonia nisi me leximin e Kuranit, duke sjellë qetësi dhe reflektim te të pranishmit. Më pas, besimtarët u bashkuan në faljen e namazit, duke e kthyer këtë moment në një shenjë bashkimi dhe devotshmërie. Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhlleku, mbajti një fjalim të ngrohtë, duke falënderuar komunitetin për përkushtimin e tyre në këtë muaj të shenjtë. Ai përcolli mesazhin e paqes dhe harmonisë, duke theksuar rëndësinë e vlerave familjare dhe solidaritetit.

Pas faljes, besimtarët shkëmbyen përqafime dhe urime të përzemërta, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë. Në fund, një koncert i organizuar nga Myftinia solli gëzim për të vegjlit, duke e përmbyllur këtë festë me hare dhe shpresë për ditë më të mira.

Fitër Bajrami nuk është vetëm një ditë feste, por edhe një kujtesë për vlerën e mirësisë, paqes dhe unitetit. Le të jetë kjo ditë një frymëzim për më shumë dashuri dhe harmoni mes njerëzve.

Korçë/ Edhe në Korçë besimtarët myslimanë kanë falur Namazin në xhaminë Iljaz Bej Mirahori. Pas agjërimit, një muaji sakrifice për ta, besimtarët janë falur në sheshin para xhamisë ndërsa myftiu i Korçës ka përcjellë urimin e tij

Edhe besimtarët kanë uruar ditën sotme. Pas faljes së namazit, Fitër Bajrami festohet nga besimtarët në familjet e tyre por edhe në ambiente të përbashkëta sipas traditës ndërsa është një prej ditëve më të rëndësishme për të uruar paqe dhe dashuri.

Advertisement