Connect with us

Bota

Pas paqes në Lindjen e Mesme, Trump rikthen sytë nga Ukraina: Vetëm javën që lamë pas u vranë 700 veta

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje për një zgjidhje të shpejtë për Ukrainën. “Shpresojmë ta zgjidhim çështjen ukrainase”, tha ai në margjinat e samitit të NATO-s.

“Javën e kaluar vdiqën 700 persona. Kjo nuk duhej të kishte ndodhur”, vijoi shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar luftimeve mes Ukrainës që vijojnë prej shkurtit 2022.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se “nuk janë marrë vendime të reja për Ukrainën”. Ai shtoi se BE po ndërmerr sanksione ndaj Moskës dhe se të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe SHBA-ja.

“Lidhur me situatën në Ukrainë, unë përsërita dëshirën tonë urgjente që pala amerikane të vendosë sanksione shtesë edhe kundër Rusisë. Nuk do të ketë zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. Ne duhet të rrisim presionin ekonomik mbi Moskën. Bashkimi Evropian po e bën këtë. Paketa e 18-të e sanksioneve do të lançohet më në fund nesër, por vetëm kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Unë gjithashtu e inkurajova Trumpin ta bëjë përsëri, në mënyrë që Amerika të mund të ushtrojë edhe më shumë presion mbi Moskën dhe Moska të kthehet në tryezën e negociatave”, shpjegoi Merz.

 

 

Më herët, Donald Trump u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. “Një takim i gjatë dhe kuptimplotë me Presidentin Trump . Diskutuam të gjitha çështjet vërtet të rëndësishme. Falënderoj zotin President, falënderoj Shtetet e Bashkuara. Biseduam se si të arrijmë një armëpushim dhe paqe të vërtetë. Biseduam se si të mbrojmë popullin tonë. Vlerësojmë vëmendjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar në afrimin e paqes”, tha Zelensky në Telegram, duke shtuar se do të ketë “detaje më vonë”.

Advertisement