Connect with us

Politike

Pas paralajmërimit të Berishës, opozita nis protestat, zbulohet data dhe ora

Opozita e mbështetur nga Sali Berisha ka marrë vendimin për nisjen e protestave.

Ditën e hënë, në datën 18 në orën 11:30 do të ketë protestë para Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkohë që ditën e enjte, protesta do të zhvendoset para Parlamentit.

Ka qenë ish kryeministri Sali Berisha ai i cili më herët ka deklaruar se do të ketë mosbindje civile, pas situatës së rënduar që është krijuar kohët e fundit në Kuvend, ku opozita nuk lejon mazhorancën të zhvillojë seancat plenare dhe komisionet parlamentare.

Aksioni i mosbindjes civile u mor sot në mbledhjen e kryesisë.

“Në këtë vend, i gjithë pushteti është në duart e një njeriu. Ju garantoj se është më shumë se çka qenë në vitet e fundit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Detyra jonë është të organizojmë, të nxisim frymën e mosbindjes civile. Në akte të vogla, në akte të mëdha, por të bindur se vetëm mosbindja civile do mund të shpëtojë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare nga kjo diktaturë, e cila bazohet kryekëput në mashtrimin, por dhe në dhunën, në terrorin ndaj opozitës, ndaj mediave, ndaj shoqërisë civile, ndaj faktorëve kryesorë të një demokracie.”, theksoi Berisha sot para gazetarëve.

Ndëkohë, kujtojmë se ditën e hënë do të mblidhet Këshilli i Mandateve, për të vendosur për imunitetin e Sali Berishës, pas kërkesës së SPAK për ashpërsimin e masës, nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie. Berisha është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, pasi akuzohet për korrupsion pasiv, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Advertisement