Connect with us

Kronike

Pas sherrit në Palasë, shpallet në kërkim Fatmir Bejo, dikur rrëmbeu biznesmenin e njohur

Policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë për sherrin në Palasë. Një qytetar u masakrua në lokal dhe fillimisht u bë me dije se ishin shpallur në kërkim dy të rinj. Por pas denoncimeve në media se ishin dhe dy persona të tjerë të përfshirë, policia ka ndryshuar version.

Ajo bën me dije se është shpallur në kërkim shtetasi Fatmir Bejo, bashkë me një 32-vjeçar. Bejo është një emër i njohur, pasi një vit më parë u arrestua me të vëllanë pasi akuzoheshin se kishin marrë peng biznesmenin e ndërtimit Gjergj Felën, me pretendimin e një borxhi të pa shlyer prej 25 mijë eurosh.

Më herët u shpallën në kërkim Xhoni Spaho 28 vjeç nga Tirana dhe Genti Baleci 49 vjeç. I kërkuari Xhoni Spaho rezulton të ketë kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021 nga radhët e Partisë ‘Aleanca për Demokracinë e Re’ që drejtohet nga Edmond Stojku.

Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se:

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë.

Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve:

F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Advertisement