Sipas Ministrisë indiane të Mbrojtjes, pesë anije të rojes bregdetare, dy avionë të tipit Dornier dhe një helikopter janë angazhuar për të shuar zjarrin në anijen MV Uan Hai 503, e cila ka gjatësi 269 metra dhe transporton 2,128 ton karburant. Anija ndodhet rreth 42 milje detare larg portit Beypore në shtetin e Kerala-s. Zyrtarë të Ministrisë kanë paralajmëruar për një kërcënim të madh ndaj ekosistemit detar dhe rrugëve tregtare të rajonit. Meqenëse zjarri ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll, ekipet po përpiqen të vendosin një rimorkiator për ta larguar anijen nga brigjet dhe për të shmangur një katastrofë ekologjike.
“Gjendja mbetet e rrezikshme dhe po vëzhgohet në mënyrë të pandërprerë,” thuhet në deklaratë. Roja Bregdetare Indiane (ICG) njoftoi se ekipet e shpëtimit janë transportuar me vinç në bordin e anijes për të ndihmuar në operacionin e evakuimit dhe tërheqjes.
Anija ishte nisur më 7 qershor nga Kolombo, kryeqyteti i Sri Lankës, dhe pritej të mbërrinte në Portin Jauaharlal Nehru në Mumbai – porti i dytë më i madh për ngarkesa në Indi – të hënën. Roja bregdetare mori një thirrje emergjente nga anija në mëngjesin e asaj dite, e cila raportonte një shpërthim në një nga kontejnerët, që më pas çoi në një zjarr të përhapur.
Nga 22 pjesëtarët e ekuipazhit, 18 janë evakuuar me ndihmën e Marinës dhe Rojës Bregdetare, ndërsa katër rezultojnë ende të zhdukur, sipas komandantit të ICG-së. Autoritetet indiane nuk kanë bërë ende të ditur shkakun e shpërthimit dhe nisjes së zjarrit.