Connect with us

Bota

Pas Ukrainës mund të jetë radha e Moldavisë, thotë Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, mendon se pas Ukrainës mund t’i vijë radha Moldavisë.

Sepse edhe atje, sipas tij, ka një lidership politik që shikon nga Perëndimi dhe nga NATO, një elitë që është ngritur në pushtet “falë çdo gjëje përveç metodave demokratike”.

Ai ka folur për televizionin shtetëror rus me gazetarin Dmitry Kiselev, një nga më të devotshmit pro Kremlinit, i prekur gjithashtu nga sanksionet perëndimore.

Në optikën e Lavrov-it, është pikërisht Perëndimi që po komploton për ta bërë Moldavinë “Ukrainën e ardhshme”.

“Ata e zgjodhën Moldavinë për këtë rol, mbi të gjitha sepse mundën të vendosnin një president në krye të vendit me metoda mjaft specifike, çdo gjë tjetër veç liberale, një president të etur për t’u anëtarësuar në NATO”, ka thënë ai.

Maia Sandu ka “nënshtetësi rumun, dhe është gati të bashkohet me Rumaninë, në thelb ajo është e gatshme të bëjë gjithçka”.

Sandu, si shumë nga bashkatdhetarët e saj, ka një pasaportë të dyfishtë: moldave dhe rumune. Ajo u zgjodh presidente në vitin 2020 me një diferencë prej 58 deri në 42 për qind ndaj kandidatit të ngushtë të Rusisë, Igor Dodon.

Një hakmarrje sepse në raundin e kaluar Dodon kryesonte.

Me Sandu-n, Moldavia rifilloi rrugën e integrimit evropian – në qershor të vitit të kaluar iu dha statusi i vendit kandidat së bashku me Ukrainën.

Në një intervistë për “Politico”-n më 20 janar, ajo ka shpjeguar se Moldavia po vlerësonte aftësinë e saj mbrojtëse dhe se vendi po diskutonte gjithashtu mundësinë e anëtarësimit në “një aleancë më të madhe”.

“Nëse ne moldavët në një moment vendosim të ndryshojmë statusin tonë si një vend neutral, e gjithë kjo do të vijë në fund të një procesi demokratik”, ka thënë ajo.

Momentalisht, opinioni publik duket në mëdyshje. Nuk ka asnjë nxitim për t’u bashkuar me atë aleancë “më të madhe”.

Në një anketë nëntorin e kaluar, vetëm 22 për qind e të anketuarve kanë thënë “po” për një hyrje të mundshme në NATO.

Edhe në lidhje me Bashkimin Evropian, qëndrimi është mjaft i kujdesshëm. Referuar studimit, ka një ekuilibër thelbësor.

Megjithatë, simpatitë mund të zhvendosen ngadalë në favor të Evropës, duke u larguar nga orbita ruse. Partia e Sandu, Partia pro-perëndimore e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), është përpara në sondazhe.

Në çdo rast, të dhënat tregojnë një situatë mjaft të rrjedhshme, në të cilën Rusia ende ruan një ndikim të mirë mbi një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik.

Dhe e njëjta gjë ishte e vërtetë për Ukrainën, përpara vendimit të lig për ta sulmuar atë.

Lavrov ka thënë disa fjalë edhe për Gjeorgjinë.

Ai që vërtet komandon atje është oligarku pro-rus Bidzina Ivanishvili.

Në drejtim të Gjeorgjisë, të pushtuar në vitin 2008, Kremlini rezervon fjalë mjaft miqësore këto ditë.

Qeveria ndoqi vijën e Moskës duke refuzuar t’u përmbahet sanksioneve perëndimore.

“Por unë jam i sigurt se ata (perëndimorët) gjithashtu do të donin ta kthenin Gjeorgjinë në një instrument me të cilin të godasin Rusinë”, ka thënë Lavrov.

“La Stampa”

Advertisement