Kosova
Pas zgjedhjeve në BE s’parashikohen ditë të mira për Kosovën, GLPS del me 3 skenare
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar një diskutim mbi tri skenare të mundshme që e presin rajonin dhe Kosovën pas zgjedhjeve që do të mbahen në Bashkimin Evropian.
Skenari i parë është që perspektiva integruese e Kosovës por edhe e të gjithë rajonit do të rrezikojë të përkeqësohet edhe më tej në rastin e një rritjeje të mundshme të së djathtës në Parlamentin Evropian.
Skenari i dytë parashikon zbehje të dukshme të politikës së zgjerimit të BE-së, duke qenë se e djathta ekstreme po rritet brenda Unionit.
Dhe sipas skenarit të tretë të GLPS-së, gjasat janë reale që së paku 20 % e eurodeptuetëve të ardhshëm do të jenë kundër anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian.
“Skenari i parë dhe më i mirë, por që gjasat janë minimale të ndodhë është formimi i një koalicioni progresiv-liberal. Skenari i dytë është ai i Status-quo i cili do përfaqësonte një koalicion më qëndror, i cili pak a shumë ndërtohet mbi përvojën e udhëheqjes aktuale 2019 -2024, ku shumica e marrëveshjeve lidhur me Zgjerimin e BE-së në fakt kanë ndodhur. Kurse skenari i tretë dhe më i keqi do ishte ai i një shumice të fortë të qendrës së djathtë, ku partitë e së djathtës dhe asaj ekstreme të djathtë do merrnin shumicën e vendeve në parlament, dhe si pasojë, do udhëhiqnin edhe agjendën e BE-së”- thuhet në komunikatën e GLPS.
Në këtë diskutim ku kanë marrë pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka bërë të ditur se kanë nxjerrë edhe tri rekomandime përfshirë: -Izolimin e mëtejshëm të zërave kundër zgjerimit në Parlamentin Evropian, ku një shumicë e bashkuar pro zgjerimit duhet të dëgjohet me zë të lartë.
– Emërimin e një Komisioneri Evropian të fortë politikisht dhe teknikisht për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, domethënë, një figurë që mund të mbajë gjithashtu rolin e Zëvendës Presidentit të Komisionit Evropian, për të dërguar një mesazh të përkushtimit të sinqertë për Zgjerimin e BE-së, dhe –
Qeveria e Kosovës të mbetet e angazhuar në përpjekjet e saj për integrim në BE, pavarësisht nga një kontekst armiqësor ndërkombëtar gjeopolitikisht dhe ideologjikisht.