Kosova
‘Pas zgjedhjeve, pikat mbi ‘i’/ Maliqi: Presion nga Perëndimi
Analisti politik nga Prishtina Shkëlzen Maliqi, ka vlerësuar se do të ketë presion të shtuar për të arritur progres në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve dhe arritjes së marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës deri në kohën e zgjedhjeve në BE dhe SHBA. Sipas tij, presioni kryesor do të vijë pas zgjedhjeve në Serbi, si dhe se nëse zbatimi i dakorduar nuk ndodh shpejt dhe të dyja palët do të përballen me pasojat.
Maliqi theksoi se presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e kanë vonuar procesin me dashje.
“Nuk e di nëse rezultati i zgjedhjeve në Serbi mund të ndryshojë diçka. Mendoj se diplomatët, me sa shoh unë, janë optimistë në kuptimin që thonë se gjithçka ka mbaruar dhe se duhet vetëm të zbatohet” – theksoi analisti nga Kosova.
Kur bëhet fjalë për presionin e BE-së dhe SHBA-së për të përshpejtuar procesin e normalizimit në muajt e ardhshëm, Maliqi theksoi se me siguri do të aplikohen “metoda të kombinuara”.
“Nuk do të doja të spekuloja, por ndoshta do të ketë presion më intensiv, sepse tani për herë të parë kemi parë që edhe liderët evropianë janë shumë të vendosur, kërkojnë që marrëveshjet të zbatohen dhe puna të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Maliqi, sipas të cilit, nëse nuk i përmbushin obligimet e tyre, sigurisht që do të ketë pasoja për Beogradin dhe Prishtinën.
Maliqi gjithashtu pohoi se pavarësisht këmbënguljes së Brukselit dhe Uashingtonit për të arritur një zgjidhje, marrëveshjet e detyruara nuk janë të mira, por problem është edhe situata e brendshme politike në Serbi dhe në Kosovë kur bëhet fjalë për planin franko-gjerman.
“Në Serbi ka një kundërshtim të madh kundër marrëveshjes franko-gjermane dhe kundër marrëveshjeve në përgjithësi. Nuk e di nëse do të ndryshojë diçka atje. E njëjta histori është edhe në Kosovë. Albin Kurti duket pak i qetësuar, por mendoj se bashkësia ndërkombëtare, Perëndimi po e humbasin durimin dhe se rajoni duhet të kalojë në një fazë të re dhe për këtë nevojitet një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” – theksoi analisti Shkelzen Maliqi.